Komisioni kuvendor për Financim dhe Buxhet sot do ta vazhdojë mbledhjen për Propozim-buxhetin për vitin 2026.
Të ardhurat e përgjithshme në Propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm janë projektuar në 374,7 miliardë denarë, shpenzimet në 413,9 miliardë denarë, ndërsa investimet kapitale në 40,5 miliardë denarë ose 650 milionë euro. Rritja ekonomike është projektuar në 3,8 për qind, inflacioni në 2,5, ndërsa deficiti buxhetor në 3,5 për qind nga PBB.
“Ky nuk është vetëm një dokument me numra dhe tabela, ky është një mesazh ekonomik stabiliteti, besimi dhe zhvillimi, si dhe dëshmi e qartë e menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike që kemi krijuar dhe po vazhdojmë me kapacitet të plotë”, tha dje ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila shpjegoi Propozim -Buxhetin e vitit 2026 para komisionit amë të Kuvendit.
Siç theksoi Dimitrieska-Koçoska, Qeveria po forcon besimin në institucione, duke mbështetur rolin e sektorit privat si nxitës i rritjes ekonomike dhe duke krijuar kushte për intensifikimin e investimeve vendase dhe të huaja.
Me Propozim-buxhetin për vitin 2026, shtoi, Qeveria e ruan konsistencën në politikat ekonomike dhe vazhdimësinë me Strategjinë Fiskale 2026–2030
“Buxheti i vitit 2026 është dëshmi se ne mund të menaxhojmë me zgjuarsi, disiplinë dhe vizion, edhe në kohë sfidash. Ky dokument flet për një ekonomi në rritje, një vend që investon dhe një qeveri që di çfarë po bën”, theksoi ministri.
Sipas saj, më e rëndësishme për këtë Qeveri është ajo që nuk flet shumë, por ofron.
“Premtuam konsolidim gradual fiskal, si para qytetarëve ashtu edhe para institucioneve ndërkombëtare financiare dhe e mbajmë premtimin”, nënvizoi Dimitrieska – Koçoska.
Konsumi privat është projektuar të rritet me 2,6%, konsumi publik do të mbetet mesatar, me rritje prej 1,4% në drejtim të disiplinës fiskale, ndërsa inflacioni do të stabilizohet në rreth 2,5%, në kushte të çmimeve të qëndrueshme në tregjet ndërkombëtare. Trende pozitive do të reflektohen edhe në tregun e punës – pritet rritje e punësimit dhe rritje e pagës mesatare neto me 6,5%. Kjo do të jetë si rezultat i hapjes së kapaciteteve të reja prodhuese, zgjerimit të atyre ekzistuese, si dhe masave aktive dhe programeve të punësimit që po zbaton Qeveria.
“Në përgjithësi, parashikimet për vitin 2026 tregojnë vazhdimësi të stabilitetit dhe rritjes ekonomike, bazuar në politika fiskale të përgjegjshme, investime në infrastrukturë dhe kapital njerëzor, si dhe në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë vendase”, tha ministrja.
Sipas informatave të publikuara në ueb faqen e Kuvendit, janë parashtruar mbi 100 amendamente.
Seanca plenare, ku do të shqyrtohet Propozim-buxheti për vitin 2026, sipas paralajmërimeve, është planifikuat të mbahet më 9 dhjetor.

