Departamenti amerikan i Drejtësisë hoqi nga faqja e tij zyrtare mijëra dokumente që lidhen me Jeffrey Epsteinin, pasi viktimat deklaruan se identitetet e tyre ishin komprometuar.
Avokatët e viktimave të financierit pedofil thanë se redaktimet jo të duhura në dosjet e publikuara të premten kishin “kthyer përmbys jetën” e pothuajse 100 viktimave të tij. Në materialet e publikuara ishin përfshirë adresa emaili dhe fotografi kompromentuese, në të cilat mund të identifikoheshin emrat dhe fytyrat e tyre.
Në faqet e publikuara përmendet gjithashtu edhe emri i Bill Gates. Ish-bashkëshortja e tij Melinda Gates thotë se ai duhet të japë llogari mbi pretendimet në dosjet Epstein, ku, siç thuhet, ishte infektuar me një sëmundje seksualisht të transmetueshme pas marrëdhënieve të kryera me vajza ruse. Bill Gates ka thënë se u tregua “budalla” që kaloi kohë me Jeffrey Epstein, duke theksuar se i vjen keq për çdo kontakt që pati me të. Në fakt, ai pretendoi se emaili i përfshirë në dokumentet e publikuara së fundmi nuk i është dërguar kurrë.
Disa konstatime bien ndesh me deklarata të mëparshme, si në rastin e Elon Musk, që në një email shprehte dëshirën për të marrë pjesë në një festë “të shfrenuar” në ishullin e Epstein. Por, pronari i rrjetit “X” mohon që të ketë shkuar ndonjëherë në ishull, apo që të ketë marrë pjesë në festa të tilla.
Gjithashtu, të dhëna ka edhe sa i takon udhëtimeve të Epstein, edhe pas marrëveshjes së kontestuar për pranimin e fajësisë të vitit 2008, e cila e dënoi atë për akuza të lidhura me nxitjen e shfrytëzimit të minorenëve.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shprehu bezdi të thellë ndaj këmbënguljes së gazetares së CNN-së, Caitlin Collins, për ta pyetur në lidhje me çështjen Jeffrey Epstein. Debati, i cili përfundoi me Trumpin që e quajti gazetaren “më të keqen”, filloi kur Collins vuri re se presidenti po përpiqej t’i paraqiste zbulimet e fundit si dënuese vetëm për demokratët, ndërsa dokumentet e publikuara tregojnë se Epstein ka lidhje të ngushta me dy aleatët e tij, Elon Musk dhe Sekretarin e Tregtisë, Howard Lutnick.
TRAMP: “Jam i sigurt që është në rregull, përndryshe do të kishte tituj të mëdhenj”.
KOLLINS: “Shumë gra që janë viktima të Epstein janë të pakënaqura” me mënyrën se si Departamenti i Drejtësisë i përpunoi dokumentet”.
TRAMP: “Mendoj se është vërtet koha që vendi të vazhdojë me diçka tjetër, tani që asgjë nuk ka dalë nga unë”.
TRAMP: “Çfarë thatë? E dini, ju jeni gazetarja më e keqe. Nuk të kam parë kurrë të buzëqeshësh. Ju njoh prej dhjetë vjetësh dhe nuk ju kam parë kurrë një buzëqeshje në fytyrë”.
KOLLINS: “Po ju pyes për të mbijetuarit e abuzimit të Jeffrey Epstein, z. President”
TRAMP: “E dini pse nuk po buzëqeshni? Sepse e dini që nuk po thoni të vërtetën. Dhe jeni një organizatë shumë e pandershme dhe duhet të turpëroheni nga vetja”. /Alsat.mk
The post Vazhdon saga e dokumenteve të lidhura me krimet seksuale të Xhefri Epstein appeared first on Alsat.
