Vdekja e foshnjës në Shkup dyshohet të jetë rezultat i neglizhencës mjekësore, rasti i fshehur per dy muaj

Një rast i rëndë dyshohet se ka ndodhur në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup, ku një neglizhencë e mundshme mjekësore ka çuar në vdekjen e një foshnje të porsalindur, ndërsa rasti dyshohet se është mbajtur i fshehtë për rreth dy muaj.

Foshnja, e lindur në javën e 36-të të shtatzënisë, ka jetuar vetëm tre ditë. Rasti u bë publik pas një kallëzimi zyrtar të shefes së kujdesit intensiv ndaj pediatres kujdestare, për trajtim jo adekuat me pasoja fatale.

Inspektorati Shëndetësor po kryen mbikëqyrje të jashtëzakonshme.

“Është dhënë urdhër nga ministri i Shëndetësisë për kryerjen e një inspektimi të jashtëzakonshëm në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup lidhur me vdekjen e një të porsalinduri. Mbikëqyrja e jashtëzakonshme inspektuese po realizohet nga Inspektorati Shëndetësor. Për gjendjen e konstatuar, publiku do të informohet pas përfundimit të inspektimit”, thonë nga Inspektorati i Shëndetësisë.

Për këtë rast ka reaguar edhe opozita maqedonase. LSDM kërkon dorëheqjen e drejtoreshës së Klinikës së Gjinekologjisë për skandalin.

“Sot me pikëllim qëndrojmë para Klinikës së Gjinekologjisë dhe kërkojmë përgjegjësi për skandalin e fundit me vdekjen e një foshnje. Këtu nuk ka vdekur vetëm një foshnje, që ka pasur jetën para, këtu ka vdekur e vërteta, kujdesi shëndetësor, morali dhe përgjegjësia, ndërsa drejtoresha ka tentuar ta fsheh rastin”, theksoi Elena Radeska, komisioni i shëndetësisë LSDM.

Sipas “Slloboden Peçat”, pas pranimit të kallëzimit më 13 tetor 2025, drejtoresha e Klinikës, dr. Irena Aleksiovska, vendosi ta largojë pediatren Emilija Badeva nga angazhimet në repartin e kujdesit intensiv. Megjithatë, për afro dy muaj, rasti nuk u raportua në asnjë nga institucionet kompetente, as në Ministrinë e Shëndetësisë, as në Inspektoratin Shëndetësor dhe as në Prokurorinë Publike./ Alsat.mk