Sot pas namazit të drekës, në lagjen Hasanbeg të Shkupit, iu dha lamtumira e fundit vajzës 14-muajshe që ndërroi jetë në Klinikën e fëmijëve në Shkup. Prindërit e saj pohojnë se vajza iu vdiq nga neglizhenca e mjekëve, për shkak se disa herë është refuzuar që të hospitalizohet në Klinikën për Sëmundjeve të Fëmijëve. Më pas e kanë çuar në “Kozle”. Këtu gjendja i është përkeqësuar dhe është kthyer sërish në Klinikën e Fëmijëve ku është hospitalizuar me urgjencë, por fatkeqësisht tepër vonë, pasi pas disa orësh terapi intensive, ndërroi jetë si pasojë e bronkopneumonisë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, thotë se i vjen keq për ngjarjen dhe i shprehu ngushëllime familjes, por shtoi që të mos pritet që ai të bëjë gjykatësin për këtë rast, pasi do t’i presë hetimet e organeve kompetente e më pas të ketë përgjegjësi, madje edhe individuale.
Taravari konfirmon se vajza fillimisht është refuzuar nga mjekët që të hospitalizohet.
“Po, është kthyer, për fat të keq, nëse gabimisht apo nga padija, duhet të konstatohet. Nuk dua unë të jem gjykatësi që thotë se si duhet të veprohet, andaj do të duhet nesër në Ministri, bashkë me Inspektoratin Shëndetësor-Sanitar të formojmë komision dhe menjëherë të veprojnë, t’i ndërmarrin të gjitha detajet parasysh dhe në fund të merret vendim që do të jepej në organet gjyqësore që më tej të sillet vendim përfundimtar se si duhet të veprohet, megjithatë përgjegjësi individuale patjetër të ketë”, tha Arben Taravari.
Ministri fajin e sheh edhe te sistemi shëndetësor që kanë trashëguar dhe thotë se nuk mund t’i ndryshojnë gjërat brenda natës. Deputetja opozitare e Frontit Europian, Rina Ajdari, kërkoi që organet kompetente të nisin hetimin dhe përgjegjësit të përgjigjen para ligjit.
Drejtori i Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi, dje tha se foshnja është pranuar me takikardi dhe saturim të ulët, mjekët e kanë reanimuar, por pa rezultat. Ndërroi jetë në orën 04:20 duke zbardhur 5 tetori.

