Një foshnjë palestineze 8-muajshe ka humbur jetën nga i ftohti në Khan Younis, teksa stuhitë e dimrit kanë përkeqësuar ndjeshëm kushtet e kamp-strehimeve në Gaza.

Foshnja, Rahaf Abu Jazar, vdiq nga hipotermia brenda një çadre të lagur nga shiu, e cila nuk ofronte asnjë mbrojtje nga temperaturat e ulëta. Kreu i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Munir al-Bursh, konfirmoi vdekjen dhe paralajmëroi se shumë fëmijë, të moshuar dhe pacientë janë në rrezik ndërsa moti përkeqësohet.

Ai tha se ekipet mjekësore po shohin dridhje të forta tek disa persona, vështirësi në frymëmarrje dhe raste që mund të përfundojnë në vdekje, për shkak të mungesës së ilaçeve dhe trajtimit. Ekipet e Mbrojtjes Civile raportuan se reshjet e dendura kanë kthyer një sërë kampesh në pellgje me baltë e ujëra të zeza.

Zona të tëra në Khan Younis, Deir al-Balah, Nuseirat dhe Gaza City u përmbytën, duke marrë me vete çadra dhe sende personale. Agjencia njoftoi se ka marrë mbi 2 500 thirrje emergjente brenda 24 orëve nga familjet e bllokuara në strehime të zhytura në ujë, raporton TRT World.

Edhe në Rafah, dhjetëra çadra u evakuuan, pasi u fundosën për të dytën ditë radhazi. Zyrtarët paralajmërojnë se mbi 250 000 familje mbeten të ekspozuara ndaj të ftohtit, përmbytjeve dhe hipotermisë, pasi çadrat e dëmtuara nuk ofrojnë izolim.

Kriza po thellohet, ndërsa rindërtimi mbetet i bllokuar dhe ofensiva dyvjeçare e Izraelit ka shkatërruar pjesën më të madhe të zonave të banuara në Gaza.