Sezonet në futbollin evropian tashmë janë mbyllur. Vetëm një ndeshje ka mbetur, finalja e Ligës së Kampionëve në Budapest të shtunën mes Arsenalit dhe PSG-së.
Gazetarë e redaktorë nga “FootballCo” në Evropë kanë votuar dhe kanë krijuar një listë prej 50 lojtarëve më të mirë të sezonit. “FootballCo” është medium i futbollit në të cilat përfshihen portalet “Goa”, “Calciomercato”, “Voetbalzone”, “SPOX” dhe disa mediume tjera.
Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka bërë vend në këtë listë.
Muriqi është i 31-ti në këtë listë, dhe “Goal.com” ka dhënë shpjegim për këtë.
“Mallorca mund të ketë rënë nga La Liga, por Vedat Muriqi ka bërë shumë për ta mbajtur atë lartë, pas sezonit të jashtëzakonshëm para portës që e pati kosovari 32-vjeçar. Vetëm Kylian Mbappe kishte më shumë gola se Muriqi që i kishte 23 në elitën spanjolle, duke e thyer rekordin e mëparshëm me 15 gola në edicionin 2022/23. Jo vetëm që i përfundoi aksionet, por ishte i palodhshëm për ta ndihm uar ekipin në fitimin e dueleve ajrore, në tokë dhe duke kontribuuar në fazën defensive, sidomos nga ndërprerjet. Ishte përpjekje heroike nga Muriqi, por nuk u shpërblye në fund”, ka shkruar “Goal.com” të enjten.
Harry Kane, Michael Olise dhe Lamine Yamal janë në tri pozitat e para nga kjo përzgjedhje. Top-10 plotësohet nga Mbappe, Declan Rice, Ousmane Dembele, Luis Diaz, Khvicha Kvaratskhelia, Bruno Fernandes dhe Vitinha.
Për shkak se Mallorca do të bëj gara në kategorinë e dytë në sezonin e ardhshëm, Muriqi pritet të largohet në verë.
Mediumet në Turqi të enjten kanë raportuar se Muriqi e ka refuzuar ofertën e Galatasarayt. “Ultima Hora” të enjten po ashtu ka bërë një shkrim për Muriqin. Sipas mediumit të afërt me klubin spanjoll, Muriqi do të takohet të premten me drejtuesit e klubit të Mallorcas për të diskutuar për mundësinë e largimit. Fenerbahçe është prej skuadrave kryesore për ta transferuar Muriqin. Mallorca kërkon rreth 20 milionë euro për Muriqin.
