Për në të hënën në ora 11:00 është shtyrë seanca e Këshillit të Prokurorëve Publikë, në të cilën duhet të caktohet ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, pasi Lupço Kocevski të martën dha dorëheqje të parevokueshme, ndërsa Parlamenti të njëjtën ditë konstatoi ndërprerjen e funksionit të tij.
Seanca u shty për shkak të mungesës së anëtares së Këshillit, Jelena Dogazanska Koleva. Për këtë arsye, anëtari i Këshillit, prokurori Ermon Neziri, propozoi që të shtyhet zgjedhja e ushtruesit të detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut, sepse siç tha ai, bëhet fjalë për një çështje shumë të rëndësishme dhe duhet që zgjedhja të bëhet në përbërje të plotë. Me këtë propozim të Nezirit u pajtuan të gjithë anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publikë.
“Kam dilemë, kolegia mungon. Sipas mendimit tim, bëhet fjalë për institucionin më të lartë në shtet. Nuk kemi pajisje teknike që të mund të lidhet online, për fat të keq. A mundet eventualisht të shtyhet për një ose dy ditë, që të vijë kolegia, në mënyrë që Këshilli, kur të dalë me qëndrim, çdo anëtar të shprehë mendimin e vet. Nëse mund ta bëjmë këtë. Propozoj ta shtyjmë seancën deri të hënën. Sa di, kolegia kthehet të hënën. Që të mund të zgjidhet dhe të caktohet ushtruesi i detyrës sipas rregullit, me të gjithë anëtarët, që secili të deklarohet publikisht për kandidatin. Në Prokurorinë Publike ka nëntë ose më shumë vota, sa ka prokurorë, sepse ne kemi detyrim ligjor që ta zgjedhim nga aty”, tha Neziri.
Ushtruesi i detyrës caktohet sipas nenit 25, paragrafi 4 të Ligjit për Prokurorinë Publike dhe zgjidhet nga radhët e prokurorëve publikë në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Detyrën do ta ushtrojë deri në emërimin e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, por jo më gjatë se gjashtë muaj.
The post Vendimi për pasuesin e Kocevskit shtyhet për të hënën appeared first on Alsat.
