Mbyllja e qëllimshme dhe papërgjegjshmëria për kanalet e ujitjes u kushtoi shtrenjtë banorëve të Nerashtit në Komunën e Tearcës. Reshjet e dendura të shiut kanë vërshuar rrugët, ndërsa një banori i është shembur muri anash shtëpisë.

“E shihni edhe vetë, fati i madh ka qenë që nuk e ka rrëzuar edhe shtëpinë, sepse uji u mbështet për shtëpie dhe u ndal aty. Dëmet mund të shihen që janë bërë. Ka arritur ekskavatori me shpejtësi të madhe dhe e ka pastruar që mos të bëhej dëmi shumë i madh, sepse mund t’i rrëzonte shtëpinë. Përsëri duhet të ndërtohet një mur më efikas dhe mos të vijë uji nga vijat. Unë nuk kam dasht ta bëj, por duhet të bëhet, sepse uji nuk vjen nga vijat zakonisht, por tash ka ardhur nga shiu”.

Kryetari i Tearcës, Daut Memishi, deklaron se deri më tani nuk ka ndonjë denoncim zyrtar për dëme nga qytetarët. Sipas tij, ekipet komunale dhe zjarrfikësit kanë riparuar rrugët e dëmtuara menjëherë pas stuhisë, por ai nënvizon se problemet vijnë si pasojë e vetë banorëve që mbyllin kanalet e hapura rrëzë Malit Sharr.

“Mirëpo vlen të potencohet edhe një gjë, që në Komunën e Tearcës ne jemi rrëzë Malit Sharr dhe nga shirat e rrëmbyeshëm, ne i kemi të gjitha fshatrat do të thotë kanalizime të hapura, kanalizimet atmosferike. Fatkeqësisht, në disa fshatra i kanë mbyllur me arsyetimin që rrugët të jenë më të gjera, mirëpo e shihni që kur ka reshje të mëdha, ato nuk janë në gjendje ta përballojnë gjithë atë ujë të madh dhe për këtë ndodhin edhe vërshimet”, tha Daut Memishi.

Për dallim nga Tearca, në Tetovë situata ka qenë nën kontroll dhe pa dëme materiale. Nga Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” thonë se pastrimi i vazhdueshëm i rrjetit të kanalizimit fekal dhe atmosferik gjatë dy viteve të fundit ka dhënë rezultate, duke bërë që pikat kritike të menaxhohen me shpejtësi.

-Po ashtu, siç e kemi nisur para dy viteve pastrimin e të gjithë qytetit, kanalizimeve fekale dhe atmosferike, edhe sot vazhdojmë në të njëjtat pika ku i kemi gypat kryesorë ku kalon i gjithë kanalizimi i qytetit. Vazhdojmë që t’i pastrojmë, t’i lajmë ato, që kur të ketë reshje të mëdha të shiut të mos ndeshemi në probleme me të cilat jemi hasur më përpara”, tha Valon Zeqiri.

Më problematike vazhdojnë të mbeten nënkalimet në lagjen Dardania. Megjithatë, falë ndërhyrjes së shpejtë të njësisë së zjarrfikësve, uji i grumbulluar është tërhequr dhe të dy nënkalimet për momentin janë plotësisht të kalueshme për qytetarët.