Gazetare: Ajnur Bafqari
Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski doli me një shifër të re sa i përket numrit të kandidatëve shqiptarë që janë paraqitur në konkursin për Shkollën e Mesme të Policisë. Ndryshe nga zëvendësi i tij, Astrit Iseni, i cili disa ditë më parë deklaroi se në konkurs ishin paraqitur 29 shqiptarë, Toshkovski sot njoftoi se numri i tyre është 31, ndërsa janë pranuar vetëm 11. Autoritetet vlerësojnë se problemi nuk qëndron te pranimi i kandidatëve, por te interesimi i ulët i pjesëtarëve të bashkësive jo maqedonase për t’u regjistruar në këtë shkollë.
“Nga ajo që e mora si informacion nga ndihmës ministri për akademinë policore, gjithsej nga 43 kandidatë të të gjitha nacionaliteteve më të vogla, 31 ishin kandidatë shqiptarë… Prej tyre janë pranuar 11. Nuk është problemi te pranimi, problemi është te interesi dhe këtë duhet ta zgjidhim në të ardhmen. Duhet të fokusohemi në motivim maksimal”- deklaroi ministri i brendshëm, Pançe Toshkovski.
Por sa po punohet realisht për një motivim të tillë. Edhe sot 10 nga 10 më të mirët e shkollës policore ishin maqedonas. Asnjë nga të dekoruarit nuk ishte shqiptar.
Edhe kryeministri Mickoski thotë se nuk ka ndarje mbi baza të bashkësive etnike, ai madje nënvizoi se nuk ka asnjë problem që nëse plotësohen kushtet të hapet edhe paralele në gjuhën shqipe.
“Prej afër 453 të regjistruar, 41 në filtrin e parë, janë të përkatësisë jo maqedonase. Domethënë interesi është i ulët. Këtu nuk bëhet fjalë për çfarëdo lloj ndarje. Ata që e kanë kaluar filtrin e parë elementar, që ka të bëjnë me sjelljen shembullore, të mos kenë ikur nga orët, sepse këto janë standardet e NATO-s dhe BE-së. Absolutisht nuk ka asnjë problem. Nëse plotësohen kushtet edhe këtë vit do të ketë paralele në gjuhën shqipe.”– deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Autoritetet njoftojnë se shumica e kandidatëve të refuzuar, nuk kanë arritur të kalojnë kriteret bazë, ku si probleme më të mëdha i theksojnë sjelljen shembullore dhe gjatësinë e kandidatëve. Toshkovski tha se edhe përskaj uljes së kriterit me nga 5 cm për të dyja gjinitë, ky kriter vazhdon të paraqes problem për kandidatët për policë./ Alsat.mk
The post Vetëm 11 shqiptarë u pranuan në Shkollën e Policisë, Toshkovski: Problemi është interesi appeared first on Alsat.
