Në vend që të përkrahin klubet sportive nëpër stadiume dhe salla, tifozët maqedonas vazhdojnë me brohoritje nacionaliste duke kërkuar dhoma gazi dhe vdekje për shqiptarët. Institucionet po veprojnë me hapa të ‘breshkës’ në dënimin dhe parandalimin e këtyre fenomeneve në terrenet sportive, ndërsa mosndëshkimi i thirrjeve nacionaliste ka ndikuar që ato të përsëriten vazhdimisht nëpër ndeshje sportive.

Gjuha e urrejtjes dhe thirrjet anti-shqiptare nuk po ndalen në tribunat sportive. Në ndeshjen mes FC Vardarit dhe FC Tikveshit, e vlefshme për javën e 29-të, tifozët vendas “Komitët” brohoritën se “shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”.

Edhe pse ka kaluar më shumë se një javë që kur tifozët e Vardarit brohoritën duke kërkuar “vdekje për shqiptarët”, Komisioni Disiplinor pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) nuk e pa të arsyeshme ta ndëshkojë Vardarin për organizimin e ndeshjeve si vendas.

Grupi i tifozëve “Komitët”, përveç FC Vardarit, mbështet edhe përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut. Edhe pse kapiten i ekipit kombëtar është shqiptari nga Shkupi – Enis Bardhi – dhe krahas tij në ekipin e parë luajnë edhe futbollistë të tjerë shqiptarë, këta lojtarë përballen me fyerje nga vetë tifozët maqedonas.

Deri më tani, për shkak të thirrjeve nacionaliste dhe anti-shqiptare, FC Vardari është dënuar nga FFM vetëm me një ndeshje pa praninë e publikut dhe me një gjobë prej 5 mijë eurosh.

Kronologjia e incidenteve

Kujtojmë se ky nuk është rasti i vetëm i thirrjeve anti-shqiptare në stadiume.

Një gjuhë e tillë nisi së fundmi në ndeshjen e basketbollit mes North Macedonia men’s national basketball team dhe Romania men’s national basketball team, e zhvilluar në kuadër të parakualifikimeve për Kampionatin Botëror.

E njëjta gjuhë urrejtjeje vazhdoi edhe në disa ndeshje futbolli, si ajo mes FC Vardarit dhe FC Bashkimit.

Skena të ngjashme janë vërejtur edhe në ndeshje të tjera ku luanin FC Vardari, FC Pelisteri dhe FC Tikveshi, pavarësisht nëse përballeshin me ekipe shqiptare apo maqedonase, ku tifozët maqedonas brohorisnin duke kërkuar vdekje ose dhoma gazi për shqiptarët.

Reagimi i institucioneve

Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD) për Portalb.mk ka shprehur shqetësim për rastet e shpeshtuara të gjuhës së urrejtjes në tribunat sportive. Sipas tyre, këto nuk janë vetëm incidente të izoluara, por tregojnë për probleme më të thella shoqërore që lidhen me intolerancën, diskriminimin dhe gjuhën e urrejtjes mbi baza etnike, kombëtare apo baza të tjera.

KPMD u bën thirrje institucioneve kompetente, federatave sportive dhe klubeve që të ndërmarrin masa më efikase për parandalimin dhe sanksionimin e rasteve të tilla, përfshirë edukimin e tifozëve, rritjen e mbikëqyrjes dhe zbatimin e vazhdueshëm të dispozitave ligjore.