Dueli mes Majkëll Çendler dhe Konor MekGregor duket se nuk ka fund. Një përballje që duhej të ishte zhvilluar dy vite më parë, por që është shtyrë për arsye të ndryshme. Por orët e fundit ka një lajm të ri që vjen nga vetë Çendleri, që duket se shpall datën e re për duelin ndaj “The Notorius”. Veterani i peshave të lehta të “UFC”-së kohët e fundit bëri postime të njëpasnjëshme në rrjetet sociale që shkruanin: “Conor!!!” dhe “1/24/26”.

Vetëm Çendler e di me siguri se cili ka qenë synimi i këtyre dy postimeve, por nuk ka dyshim se ai po paralajmëron për një ndeshje të mundshme me Konor MekGregor. Gjithsesi, deri në janarin e vitit të ardhshëm ka ende kohë për të zbuluar nëse ajo datë është e saktë.

MekGregor, tashmë 37 vjeç, nuk ka garuar që kur theu këmbën kundër Dastin Poirierit në verën e vitit 2021. Në vitet që pasuan, ai hyri në luftë me USADA-n, humbi një padi civile dhe theu gishtin e vogël të këmbës ndërsa stërvitej për rikthimin e tij në “UFC” ndaj Çendlerit.

Sa i përket 39-vjeçarit Çendler, ai më në fund u lodh duke pritur për ndeshjen me MekGregor dhe u rikthye në aksion në fund të vitit 2024, ku u mposht menjëherë nga Çarls Oliveira (UFC 309) dhe Padi Pimblett (UFC 314) në ndeshje të njëpasnjëshme.

The post Veteranët e “UFC”-së, Çendler nuk i ndahet duelit me MekGregorin appeared first on Alsat.