Edhe Komuna e Haraçinës ka dalë me njoftim pas reshjeve të rrëmbyeshme të shiut, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në lagjet si Rruga 1 (pjesërisht), Rruga 7, 12 dhe 21, transmeton TV21.

Kanë njoftuar se ekipet e Ndërmarrjes Komunale Publike janë në terren dhe po pastrojnë rrugët nga mbeturinat e sjella nga vërshimet.

Bashkë me to, kanë punuar edhe banorët e Rrugës 12, të cilët i falënderojnë nga Komuna për ndihmesën.

Kryetari i Haraçinës, Ridvan Ibrahimi dhe ekipi i emergjencës vazhdojnë aktivitetet për të vlerësuar dëmet.

“Grupi i Emergjencës ka hartuar një plan veprimi për ditën e nesërme, me qëllim që të pastrohen dhe sanohen të gjitha dëmet e shkaktuara”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Komunës.

Paraprakisht edhe Qendra për Menaxhim me Kriza doli me njoftim për situatën e krijuar pas reshjeve të rrëmbyeshme. Ata bënë të ditur se krahas Haraçinës, dëme nga reshjet ka edhe Stajkovci.

Raportohet se dëmet janë vetëm materiale dhe jo njerëzore./TV21