Një skenë vërtet e pazakontë u shënua në “Madison Square Garden” të Nju Jorkut, gjatë ndeshjes së peshave të rënda në boks ndërmjet Xharell Miller dhe Kingsli Ibeh.

Gjatë përballjes kundër Ibeh, Miller pa parukën e tij t’i shkulet nga koka pas një goditjeje në raundin e dytë. Flokët artificialë u shkëputën nga pjesa e përparme dhe u përkulën në pjesën e pasme së kokës, duke mbetur të varura pas. Momenti i çuditshëm, që ndodhi në fund të raundit, shkaktoi reagim të menjëhershëm dhe habi në tribuna.

Miller nuk e la rastin të kalonte pa shfaqje: ai e hoqi vetë parukën dhe e hodhi drejt publikut, duke e kthyer incidentin në spektakël. Pavarësisht episodit, Miller arriti të fitonte ndeshjen ndaj bashkëkombësit të tij me vendim të ndarë të gjyqtarëve (94-96, 97-93, 97- 93).

Pas përfundimit të sfidës, ai foli për “DAZN” me humor tipik: “Është pak qesharake, apo jo?

Gati sa nuk i humba flokët dy ditë më parë, kështu që i thashë menaxherit tim: ‘Hajde ta vë këtë gjë në kokë shpejt e shpejt, ndërsa e Ibeh ma hoqi me grusht! Është për të qeshur!”, deklaroi boksieri.

Parukja më vonë u pa e vendosur në një karrige pranë ringut, ndërsa vetë Miller u largua nga arena duke kërcyer, tashmë me një kapele në kokë.

The post VIDEO/ Grushti i hoqi paruken në ring, ai e hedh drejt publikut dhe fiton ndeshjen appeared first on Alsat.