Një video me përmbajtje të rëndë nacionaliste dhe mesazhe antishqiptare ka qarkulluar në rrjetet sociale pikërisht më 28 Nëntor, në ditën kur shqiptarët festojnë Ditën e Flamurit Kombëtar.

Në video shfaqen disa persona të maskuar, me fytyra të mbuluara dhe zëra të deformuar, të cilët prezantohen si pjesë e organizatës maqedonase “Makedonska Nacionalna Organizacija”. Pamjet pretendohet se janë realizuar në lagjen Aerodrom të Shkupit, pranë kryqit.

Në sfond dëgjohet një këngë me përmbajtje të hapur antishqiptare, ku thuhet: “As në tokë, as në qiell, për ‘shiptarët’ vend nuk ka”.

Përdorimi i një gjuhe të tillë përçmuese dhe mesazheve që synojnë përjashtimin e një komuniteti të tërë etnik nuk mund të kalojë pa vëmendjen e institucioneve përgjegjëse.

Për këtë arsye, kërkohet reagim urgjent nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

MPB-ja duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të hetuar këtë rast, të verifikojë autenticitetin e videos, të identifikojë personat që shfaqen në të, si dhe të zbulojë se kush qëndron pas organizimit dhe publikimit të këtyre mesazheve.

Maskat dhe zërat e deformuar nuk duhet të jenë arsye që autorët të mbeten të paidentifikuar. Institucionet kanë mekanizmat dhe detyrimin që të hetojnë nëse kemi të bëjmë me nxitje të urrejtjes ndëretnike apo me vepra të tjera të dënueshme me ligj.

Është veçanërisht shqetësuese që një mesazh i tillë shfaqet pikërisht në ditën e 28 Nëntorit, duke prekur ndjenjat dhe dinjitetin e shqiptarëve.

Shkupi është qytet i të gjithë qytetarëve të tij, ndërsa askush nuk ka të drejtë të kërcënojë, përçmojë apo të mohojë vendin e një komuniteti në shoqëri.

Tashmë pritet që MPB-ja të tregojë nëse do të veprojë dhe nëse personat që fshihen pas këtyre maskave do të identifikohen dhe do të mbajnë përgjegjësi, nëse hetimet vërtetojnë shkelje të ligjit.

Fakti Ditor kërkon hetim, identifikim të autorëve dhe përgjegjësi ligjore. Heshtja institucionale nuk është përgjigje!

VIDEO:
https://www.facebook.com/reel/4074155392719226