Ivica Tomovski, drejtor i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta në Qeverinë e RMV-së në “Daily Click”, ka deklaruar se prona shtetërore është në gjendje shumë të keqe. Ai theksoi se vilat presidenciale në Ohër dhe Shkup nuk kanë dokumente pronësore dhe për këtë arsye janë të konsideruara ndërtime pa leje.

“Pasuria shtetërore është në gjendje shumë të keqe. Vila në Shën Stefan dhe ajo në Lazaropole janë në gjendje të mjerueshme. Nuk ka pasur fare qasje në këto objekte. Plani ynë si udhëheqje e re është që t’i vëmë në përdorim të gjitha objektet shtetërore. Por, përpara kësaj, duhet të zgjidhim statusin juridik të pronës. Imagjinoni, vilat e kryeministrit dhe presidentit në Ohër dhe Shkup janë ndërtime pa leje dhe nuk kanë as dokument pronësie,” tha Tomovski.