Komisioni Shtetëror Zgjedhorë (KSHZ) në mbledhjen e sotme përcaktoi renditjen në fletën e votimit për zgjedhjet lokale të përsëritura në komunat Gostivar, Vrapçishtë, Qendër Zhupë dhe Mavrovë dhe Rostushë. Në zgjedhjet lokale të ardhshme që do të mbahen më 11 janar të vitit të ardhshëm, VLEN-i do të jetë nën numrin rendor 1, koalicioni “Maqedonia Jote” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE nën numrin 2, AKI nën numrin 3, koalicioni i udhëhequr nga LSDM nën numrin 4, kandidati i pavarur, Zulhajrat Demiri nën numrin 5 dhe Partia Demokratike e turqve në Maqedoni nën numrin 6.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme të 162-të zhvilloi shortin publik për renditjen në fletën e votimit për zgjedhjet e përsëritura që do të mbahen në këto komuna. Më parë, siç theksoi kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, komisionet zgjedhore komunale kanë konfirmuar listat për zgjedhjet.
Në mbledhjen e sotme u mor edhe vendimi për publikimin e përshkrimeve të vendvotimeve, në përputhje me detyrimet ligjore për zgjedhjet e përsëritura dhe sipas orarit, të cilat do të publikohen në faqen zyrtare për t’u bërë të disponueshme për qytetarët dhe që publiku të informohet me kohë.
Me qëllim informimin e qytetarëve, që të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, për vendvotimet, edhe pse së fundmi kemi pasur zgjedhje, këto janë të përsëritura, lokacionet nuk janë ndryshuar, por detyrimi ligjor është ta bëjmë dhe ta publikojmë për të siguruar realizimin e të drejtave të qytetarëve dhe informimin me kohë për zgjedhjet më 11 janar”, tha Kondarko.
Në seancën e sotme KSHZ-ja miratoi edhe plan-propozimin për realizimin e edukimit të bordeve zgjedhore për zgjedhjet e përsëritura në këto katër komuna, që gjithashtu është një detyrim ligjor.
“Duhet të kalojnë trajnimin nga trajnues të certifikuar, për këtë qëllim, kemi përcaktuar shtatë trajnues që do të realizojnë edukimin në katër komunat, për secilën vendvotim dhe për çdo bord zgjedhor”, shpjeguan Kondarko dhe anëtarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu.
Në seancë u përcaktuan edhe lokacionet për billborde dhe panoa reklamuese për paketat e dorëzuara nga pesë kompanitë që janë regjistruar në KSHZ për reklamimin e pjesëmarrësve në zgjedhje.
Në mbledhjen e sotme u mor edhe vendimi për pagesën e kompensimit për personat e angazhuar për përkthim në gjuhën e shenjave në KSHZ për zgjedhjet lokale. Gjatë seancës u shqyrtuan shtatë pika në rend dite.
