VLEN vlerëson se partneriteti strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë po hyn në një fazë të re, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe nxitjen e investimeve.
Përmes një komunikate për media, VLEN thekson se pjesëmarrja e zëvendëskryeministrit të parë, Bekim Sali, dhe ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në Forumin e Biznesit Turqi–Maqedonia e Veriut, të mbajtur në Istanbul, paraqet dëshmi të angazhimit institucional për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe krijimin e partneriteteve të reja me komunitetin e biznesit dhe investitorët.
Sipas VLEN-it, Qeveria po ndërmerr hapa konkretë për krijimin e një klime më të favorshme për investime, përmes politikave që mbështesin prodhimin, inovacionin, zhvillimin teknologjik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Qeveria, me përfaqësuesit e saj nga VLEN, po punon për ta pozicionuar vendin si një partner të besueshëm dhe konkurrues në rajon, duke krijuar kushte që tërheqin investime dhe nxisin zhvillimin ekonomik”, thuhet në kumtesë.
Nga koalicioni vlerësojnë se thellimi i bashkëpunimit ekonomik me Turqinë nuk përbën vetëm një prioritet diplomatik, por edhe një mundësi konkrete për rritje ekonomike, avancim të industrisë vendore dhe krijim të perspektivave të reja zhvillimore.
VLEN nënvizon se do të vazhdojë të mbështesë politika që sjellin investime, fuqizojnë ekonominë dhe ndërtojnë partneritete afatgjata në interes të qytetarëve dhe të ardhmes së Maqedonisë së Veriut.
The post VLEN: Bashkëpunimi ekonomik me Turqinë hap mundësi të reja për investime dhe zhvillim appeared first on Alsat.
