Protesta e sotme u përkrahë edhe nga partitë politike shqiptare. Përderisa partitë opozitare ishin të pranishme në protestë, partitë e pushtetit këtë përkrahje e shprehën nga distanca. Sekretari gjeneral i BDI-së Arbër Ademi tha se nëse kjo çështje nuk është zgjidhur 30 vjet, pse të mos zgjidhet sot.

“Nëse s’ka qenë prej 30 vitesh në gjuhën shqipe a nuk duhet edhe sot të jetë? Sot është parashtruar kërkesa dhe sot është aktualizuar kërkesa, madje nuk duhet fare kërkesë. Dhe sot ne po i shohim qëndrimet e Fillkovit, i cili thotë se provimi i jurisprudencës është provim për kontrollin e njohurive gjuhësore, pastaj pas dy-tre jave kur e sheh se gabon rëndë thotë se është provim profesional dhe se nuk është procedurë administrative. Edhe te njëra edhe te tjetra gënjen, ligji është i qartë”, tha Arbër Ademi – Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së.

Nga VLEN thonë se në dy dekadat e fundit ka pasur 7 ministra shqiptarë të BDI-së në Drejtësi dhe nuk e kanë rregulluar këtë çështje. Kryetari i Besës në VLEN Bilall Kasami tha se partia e Ahmetit po i fsheh dështimet e veta pas protestave të studentëve.

“Sigurisht që përkrahim çdo protestë të studentëve dhe ashtu siç e kemi deklaruar që nga kryeministri dhe eksponentët të tjerë të qeverisë, ne garantojmë që kjo çështje do të zgjidhet ashtu siç duhet. Por është ironike ajo që partitë opozitare, veçanërisht BDI, sot ka dalë në përkrahje të studentëve, për të zgjidhur problemet që ajo ua la këtyre studentëve. Mund të them se jam krenarë që studentët janë të lirë të protestojnë edhe për kundër faktit që kjo çështje iu është garantuar që do të zgjidhet”, u shpreh Bilall Kasami – kryetar i Lëvizjes Besa/VLEN.

Ndërkohë kryeministri Mickoski dje tha se qeveria ka formuar një grup me ekspertë kushtetues të cilët po punojnë për të gjetur një zgjedhje, e cila do të jetë kushtetuese dhe e përshtatshme me standardet ndërkombëtare.