
Përfaqësuesi i VLEN-it, Bekim Fazliu, në një konferencë për media, ka akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) dhe kryetarin e saj, Ali Ahmeti, për përfshirje në një aferë të madhe politiko-financiare, të lidhur me shitjen e aksioneve të një banke në Serbi dhe përfshirjen e kompanisë “AS Senjak”.
Fazliu tha se “është dita e pestë që BDI dhe Ali Ahmeti fshihen në heshtje të thellë”, duke theksuar se mungesa e reagimit të tyre “është pranimi më i zhurmshëm i fajit në aferën që po trondit vendin”.
Sipas tij, kompania “AS Senjak”, që pretendohet të jetë e lidhur me familjen e Ahmetit, ka shitur një pako të madhe aksionesh të “Alta Bankës” nga Beogradi – bankë që ai e cilësoi si të “kontrolluar nga regjimi i Aleksandër Vuçiqit”. Ai pohoi gjithashtu se të njëjtat aksione ishin blerë një vit më parë nga “njeriu i të gjitha skemave”, Sasho Mijalkov.
“Me këtë konfirmohet boshti kriminal Mijallkov – Ahmeti – Vuçiq, i cili vepron pas shpinës së qytetarëve”, tha Fazliu.
VLEN ka dorëzuar sot zyrtarisht një Iniciativë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), duke kërkuar hapjen e një hetimi të plotë për marrëveshjet e dyshuara ndërmjet zyrtarëve të BDI-së dhe shtetit serb.
Në kërkesën e tyre, VLEN kërkon që KSHPK të hetojë:
Mundësinë e abuzimit me pozitën zyrtare nga ana e zyrtarëve të BDI-së;
Pranimin e fondeve apo ndikimin politik nga kompani të lidhura me Mijalkovin dhe Vuçiqin;
Rrethanat e tenderit prej 1.5 milionë eurosh të dhënë kompanisë “AS Senjak”, vetëm gjashtë ditë pas shitjes së aksioneve;
Rrezikun që kjo marrëveshje mund t’i sjellë sigurisë kombëtare dhe stabilitetit financiar të shtetit.
“Ky nuk është biznes, por tradhti e pastër e interesave kombëtare e paguar me paratë e qytetarëve”, deklaroi Fazliu, duke shtuar se VLEN “nuk do të ndalet derisa e vërteta të dalë në dritë dhe drejtësia të veprojë”.
Ai i bëri thirrje KSHPK-së të dëshmojë nëse “punon për qytetarët apo është vetëm një dekor për qeverinë kriminale”, ndërsa paralajmëroi se partia do të vazhdojë të publikojë fakte të reja çdo ditë.