Ministri Arben Taravari, por edhe eksponentë të tjerë të VLEN-it, tanimë disa herë kanë pohuar se e kanë gati Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe barabartë, që do të zëvendësonte Balancuesin tashmë të shfuqizuan, por për këtë tekst me sa duket nuk di gjë Ministri i Administratës nga radhët e ZNAM-it, Goran Minçev. Ai madje bën apel të mos ngutet me përpilimin e zgjidhjes së re eventuale.
Minçevi nuk deshi ta komentojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por e komentoi konferencën e mbrëmshme të BDI-së, të cilën e quajti dramatike dhe të panevojshme, e që mund të titullohej “BDI-ja kundër BDI-së”. Kjo sepse, sipas Ministrit, integristët kur ishin në Qeveri kanë miratuar strategjinë nacionale për Reforma në Administratën publike 2023-2030, ku theksohet se Balancuesi nuk është më i nevojshëm.
Ideja për deklaratë në noter për përkatësinë etnike, për Minçevin, është nënçmuese, andaj për Ligjin e ri kërkoi që të punohet me koka të ftohta, të hapet debat i gjerë publik-ekspertë,e më pas të gjendet zgjidhje ligjore afatgjatë, që të mos vihet sërish në vendime të Kushtetueses si ky i fundmi.

