A e ka apo jo VLEN-i dhjetorin si afat për arritjen e ndryshimeve kushtetuese? Përgjigjen e kësaj pyetje me sa duket nuk e dinë as vetë brenda këtij koalicioni ose kanë mendime të ndara. Kjo për shkak se atë që e thotë kryetari i Lëvizjes Besa, pjesë e koalicionit VLEN, nuk e thotë ministri për eurointegime që vjen nga Alternativa, po ashtu pjesë e VLEN-it.
“Gjatë bisedimeve për formimin e Qeverisë së re, ne si koalicion VLEN kemi dhënë një afat 6-mujor brenda të cilit Qeveria duhet të del me propozim konkret për zgjidhjen e problemit me ndryshimet kushtetuese. Aktualisht jemi në muajin e katërt dhe pa skaduar ky afat nuk kemi pse komentojmë. Kur të afrohemi nga fundi, atëherë do ta shohim se cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm”, tha Orhan Murtezani.
Por kryetari i Besës, Bilall Kasami, nuk jep afat kohor, ose të paktën siç shprehet, ai asnjëherë nuk ka përmendur afat të dhjetorit
-Përsëri mbetemi në atë qëndrim që pa ndryshime kushtetuese nuk do të ketë vazhdim të procesit.
-OK, e qartë është, por çfarë do të bëni ju, a rrini në Qeveri me VMRO-në e cila nuk i ndryshon?
-Jo.
-Si jo tani?
-Nuk do të rrimë.
-Deri kur? Deri në fund të vitit e vendosini…
-Po deri atëherë…
-Po nuk ka deri atëherë kryetar, keni thënë deri në fund të vitit, po m’i ndërroni llafet…
-Unë?!
-Po nëse është deri në fund të vitit, është deri në fund të vitit… Nëse është pas, i keni ndërruar llafet.
-Unë në asnjë moment si Bilall Kasami, merri të gjitha deklaratat e mija, nuk kam përmendur afate kohore.
-Po thoni fundi i vitit nuk është afat kohor?
-Nuk kam thënë…
-Jo ju, por VLEN-i…
-Epo tash… nëse e ka thënë dikush, duhet ta sqarojë. Ai që ka thënë duhet ta sqarojë se çfarë ka nënkuptuar deri në fund të vitit…
E në fakt i pari që ka folur për dhjetorin si afat, është kryetari i ASH-së pjesë e VLEN-it, Arben Taravari. Ja çfarë pati thënë në maj 2024, para se të formohej Qeveria e re.
“VLEN-I tash është garanci në Qeveri se me çdo kusht do të insistojë sa më shpejtë të fillojnë negociatat me BE-në dhe të bëhen ndryshimet kushtetuese, sepse ajo është kusht. Besoj se na japin një afat që e kemi kërkuar 5-6 muaj”, pati deklaaruar Arben Taravari
-Kush?
“Qytetari… se ne para qytetarit e kemi thënë këtë se 6 muaj është një afat që e kërkojmë për ta rrumbullakosur”, pati thënë ai
Ndryshimet kushtetuese konsistojnë në futjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut si pjesë e minoriteteve që jetojnë në shtet. Ky është kusht i Bullgarisë për heqjen e vetos në rrugën eurointegruese të vendit. Kjo kërkesë tash është pjesë e kornizës negociuese. VMRO-DPMNE-ja këtë e ka vlerësuar si veprim nën diktat të Bullgarisë, andaj ka dalë me idenë për ndryshime kushtetuese me prapaveprim, që kjo kërkesë të hyjë në fuqi pasi vendi të nisë bisedimet aderuese.

