Kreu i Lëvizjes Besa Bilall Kasami përsëriti se shkarkimin e kryesisë së partisë e ka bërë për të përshpejtuar procesin e shndërrimit të VLEN-it në një parti. Ai tha se intensifikimi i aktiviteteve është i domosdoshëm në kohën kur sfidat politike janë më të madha se sa 2 vjet më parë.

“Ne e nisim këtë rrugëtim për të treguar se VLEN-i do të vazhdojë edhe më i fuqishëm, edhe më i bashkuar, VLEN-i do të vazhdojë drejt rrugëtimit të tij si një organizatë politike, si një parti politike, tanimë sfidat janë edhe më të mëdha sesa para 2 viteve kur u bëmë bashkë. Tanimë kur nuk e kemi BDI-në e pamë se sa e dobët ishte BDI-ja,” deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.

Adnan Azizi nga ana tjetër paralajmëroi se të gjithë funksionarët e Lëvizjes Besa por edhe të VLEN-it në të gjithë eshalonët e ekzekutivit do të skanohen për rezultatet. Ata që kanë dështuar, sipas Azizit do të shkarkohen.
“Pasi të bëhet një skanim, një vlerësim, edhe në si subjekt por edhe VLEN-i do të dalë me një qëndrim për rikonstruimin e qeverisë, qoftë të atyre që na përfaqësojnë në ekzekutiv, apo në drejtori të caktuara, që ata që kanë kryer detyrën si duhet do të vazhdojnë, ata që nuk kanë qenë në krye të detyrës do të duhet të spostohen,” tha Adnan Azizi, Lëvizja Besa.

Në kuvendin partiak pak ditë më parë Kasami shprehu hapur pakënaqësinë nga performanca e ministrit Fatmir Limani ndërkaq ky i fundit u përgjigj se Limani nuk është individ por 15 deputetë. Ai gjithashtu tha se rrugëtimi politik kërkon arkitekt dhe assesi monark. /alsat.mk

The post VLEN / Kasami: Do të bëhemi parti politike, Azizi paralajmëron largime për ata që s’punuan appeared first on Alsat.