Në BDI tashmë nuk dihet kush e udhëheq partinë. Ali Ahmeti lëshon balona provuese për tërheqje nga politika, Bujar Osmani ia ka vënë syrin karriges së kryetarit, ndërsa njerëzit e Artan Grubit çojnë selame dhe ua rikujtojnë të gjithëve se kush e bënte deri dje ligjin në parti. Tre rrëfime dhe një panik i madh.
Ahmeti shtiret sikur e ka situatën nën kontroll, por hesapet assesi nuk i dalin. Nëse e mbron Artanin, ia ngarkon vetes gjithë bagazhin e tij politik. Nëse ia kthen shpinën, rrezikon të hapet “kutia e zezë” dhe të tregojë kush çfarë ka porositur, çfarë ka nënshkruar dhe kush, në fund, e ka mbledhur kajmakun.
Po Bujari? Ai flet për gjithçka, por për Artanin as edhe një fjalë.
Po mirë, kush ia ka lidhur gjuhën Bujarit? Deri dje bashkë qëndronin në krye të BDI-së dhe para opinionit paraqisnin unitet, ndërsa sot Bujari bën sikur Artani nuk ekziston.
Çfarë di Bujari për Artanin dhe nuk dëshiron ta thotë publikisht? Po pret momentin e përshtatshëm për të folur apo hesht që të mos përfshihet edhe vetë në këtë histori?
Sot në BDI ka muhabet për gjithçka, por përgjigje për asgjë. Nga çfarë ka më shumë frikë Bujari se Artani do të këndojë si bilbil apo se Aliu nuk do të tërhiqet?
