Nga koalicioni VLEN thonë se paralajmërimet e BDI-së për bojkot të zgjedhjeve lokale janë të papërgjegjshme, përcjell TV21. Nga ky koalicion shtojnë se problemi me çështjen e gjuhës shqipe është trashëguar pikërisht nga BDI, ndërsa thonë se pikërisht Bujar Osmani e ka dërguar të njëjtin ligj në Komisionin e Venecias.
Osmani në Daily Click: Nuk mund të ketë zgjedhje derisa shqiptarët degradohen në atë nivel
“Paralajmërimet e papërgjegjshme të BDI-së për bojkot të zgjedhjeve lokale tregojnë edhe një herë se janë tërësisht të izoluar. Fakti që nuk dinë si të sillen në opozitë, nuk mund të kthehet në problem shtetëror. Ali Ahmeti është i dëshpëruar për vëmendje politike. Po kërkon të faktorizohet përmes një takimi me VLEN-in, për probleme që na i ka lënë trashëgimi. Së pari, është ekstremisht hipokrite dhe e papërgjegjshme që BDI të na akuzojë për iniciativën para Gjykatës Kushtetuese, kur ajo është mbajtur qëllimisht në sirtar nga kuadrot e tyre në këtë Gjykatë, me planin që sot ta keqpërdorin për sulme politike. VLEN-i nuk mund të jetë përgjegjës për paqartësi në ligj që vetë BDI-ja i ka lejuar me vetëdije. Së dyti, teksti i Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe është dorëzuar në Komisionin e Venecias pikërisht nga Bujar Osmani. Nuk ka asnjë dyshim se pas skenarit për bojkot të zgjedhjeve lokale fshihet frika e BDI-së nga humbja. Prandaj, ata sajojnë alibi me akuza të rreme për gjoja deshqiptarizim, i cili, në mënyrë simptomatike sipas tyre, po ndodh vetëm sepse ata nuk janë më pjesë e Qeverisë”, thonë nga VLEN.
