VLEN: Shqiptarët nuk janë vegël, shqiptarët janë ligj

Koalicioni VLEN ka prezantuar miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke e cilësuar atë si një arritje historike pas gati 25 vitesh premtime të pambajtura. Në një konferencë për media, nga VLEN theksuan se ligji i ri, i hartuar edhe me rekomandimet e Komisionit të Venecias, vendos për herë të parë mekanizma konkretë për zbatimin e përfaqësimit të drejtë, përfshirë krijimin e një trupi koordinues qeveritar të udhëhequr nga një zëvendëskryeministër shqiptar. Sipas VLEN, ligji i jep fund manipulimeve me vetëdeklarime dhe garanton metodologji të bazuar në të dhëna reale, ndërsa brenda gjashtë muajve pritet harmonizimi i plotë i legjislacionit. VLEN thekson se ky zhvillim shënon kalimin nga përdorimi politik i çështjes së përfaqësimit drejt një detyrimi ligjor të zbatueshëm.

Fjalimi i plotë nga konferenca:

Edhe një e arritur e koalicionit tonë të shpresës, ndryshimit dhe korrigjimit të gabimeve dekadëshe. Pas gati 25 vitesh, shqiptarët më në fund kanë LIGJ.
LIGJ PËR PËRFAQËSIM TË DREJTË DHE ADEKUAT!

Që nga viti 2001 e deri më sot, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është përdorur për propagandë e për mashtrim politik. Është përmendur sa herë kanë pasur nevojë për vota, por kur ka ardhur momenti për ta zgjidhur me ligj, janë strukur. Nuk e kanë bërë. Nuk kanë pasur as vullnet, as sinqeritet.

Sot, kjo merr fund.
Sot kemi Ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i përpunuar edhe me sugjerimet e Komisionit të Venecias.
Me këtë ligj, për herë të parë, kjo punë nuk mbetet pa ZOT SHTËPIE. Themelohet trup koordinues qeveritar, i udhëhequr nga zëvendëskryeministër shqiptar, që do të monitorojë dhe do të garantojë zbatimin.

Tash kjo çështje ka adresë. Ka përgjegjës. Ky ligj sjell edhe një ndryshim tjetër shumë të madh. Nuk do të ketë më vetëdeklarime të rreme dhe mashtrime në kurriz të shqiptarëve. Do të ketë metodologji të bazuar në të dhëna reale.
Pra, nuk do të ketë më hile. Nuk do të ketë më mashtrim me numra. Nuk do të ketë më lojëra prapa dere. Brenda gjashtë muajve, i gjithë legjislacioni duhet të harmonizohet me këtë ligj. Kjo do të thotë se nuk po bëjmë lëvizje sa për sy e faqe, por po vendosim rregull njëherë e mirë.

Ky është dallimi.
Ata për 25 vite e lanë këtë plagë hapur, sepse u duhej për politikë. Ne po e mbyllim me ligj.
Ata e mbajtën si vegël. Ne po e bëjmë detyrim.
Prandaj, mesazhi ynë sot, nesër e pasnesër është i qartë.
Shqiptarët nuk janë vegël. Shqiptarët janë LIGJ.