Kjo është bazilika në fshatin Ladorisht të Strugës. Në vitin 1955, ajo ishte në një gjendje më të mirë, por sot ndodhet në mëshirë të kohës, pa kujdes institucional dhe nën përkujdesjen e vetme të banorëve lokalë. Në moshën 91-vjeçare, profesori Kaim Murtishi nga ky fshat e viziton shpesh këtë vend. Ai thotë se ky lokacion është shumë më i madh sesa duket sot në sipërfaqe, por me kalimin e viteve një pjesë e madhe e tij është mbuluar dhe lënë në harresë.
“Këtu ka pasur vend mjaftë dhe siç tregonin pleqtë, unë kam biseduar për këtë, dhe kam shkruar diçka. Këto ndërtime kanë vazhduar deri matanë atyre shtëpive tek, guri bollave i thonë, afër fshatit Fërngovë, por është mbuluar, edhe ky është gati. Ja ku e ke këtu në libër tash ka ngelur vetëm kjo, ka qenë deri andej, pak nga pak edhe është mbuluar dhe rënduar”, tha Kaim Murtishi – profesor.
Sipas profesor Murtishit kjo bazilikë është nga koha romake, në këtë lokacion sipas tij ka qenë qytet.
“Nga koha e Romës është. Ky ka qenë qytet, ka qenë ndërtim dhe është shkruar se është në kohën e romakëve. Ladorishti është fshat shumë i vuajtur dhe fshat që gjithmonë e ka ngrënë plumbin dhe murtajën, dhe është djegur disa herë”, u shpreh profesori Kaim Murtishi.
Profesor Murtishit thotë se për këtë bazilikë askush nuk përkujdeset.
“As që ka ardhur njeri të pyes për këtë këtu. Unë e kam vënë këtu në këtë libër dhe këtë libër e kam shkruar në vitin 1978, atëherë e kam përgatitur, kishte pleq që e kishin dëgjuar dhe përjetua , muhabete dhe gojëdhëna, brez pas brezi”, shtoi profesori Kaim Murtishi.
Edhe nga pamjet vërehet se muret e bazilikës kanë filluar të shemben. Mungesa e pastrimit dhe e tabelave informuese ka bërë që ky vend të mos njihet sa duhet, pavarësisht vlerës historike. Nëse do të mirëmbahej dhe promovohej siç duhet, ky lokacion do të ishte më atraktiv për vizitorët, të cilët nuk mungojnë në rajonin e Strugës dhe Ohrit.
