Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski, akuzoi ish-kryeministrin Zoran Zaev dhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, për përfshirje në rastin e fundit të sekuestrimit të marihuanës. Sipas tij, rreth 70 për qind e drogës së konfiskuar lidhet me kompani të afërta me LSDM-në. Petrushevski pretendon se licencat për kultivim marihuane janë dhënë gjatë qeverisjes së Zaevit dhe se ekzistojnë lidhje biznesi edhe me familjarë të tij.

“Rreth 70 për qind e drogës së sekuestruar është e një kompanie që është në pronësi të një kuadri të LSDM-së, konkretisht një personi të afërt me Zaevin. Shtesë, vetëm gjatë ditës së djeshme në rajonin e Strumicës janë sekuestruar rreth 30 tonë drogë. Cili është personi dhe kompania e lidhur me LSDM-në? Bëhet fjalë për kompaninë “CBD Medplant”, në pronësi të Toni Kotevit, i njohur si M’gçev, ish-kryetar i degës komunale të LSDM-së në Novo Sello”, tha Brane Petrushevski.

Ish-kryeministri Zoran Zaev reagoi përmes një statusi në Facebook, duke i hedhur poshtë akuzat e VMRO-DPMNE-së. Ai kërkoi publikisht kërkim-falje nga deputeti Petrushevski dhe nga VMRO-DPMNE për, siç tha, keqpërdorimin e emrit të tij në rastin e konfiskimit të kanabisit, duke mohuar çdo lidhje me rastet e drogës apo kontaktet me institucionet shtetërore.

“Është gënjeshtër e turpshme se jam i lidhur në çfarëdo mënyre me rastet e kanabisit që janë prezantuar para opinionit publik. Është po ashtu një gënjeshtër e turpshme dhe e pacipë se kam telefonuar në Drejtorinë e Doganave. Nëse nuk kërkojnë falje brenda afatit të paraparë me ligj, do të ngre padi kundër Petrushevskit dhe VMRO-DPMNE-së. Do të luftoj me të gjitha mjetet juridike për ta hequr këtë njollë nga emri im”, tha Zoran Zaev.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme MPB informoi se gjatë një aksioni policor është sekuestruar një sasi e konsiderueshme e marihuanës, gjegjësisht rreth nëntë ton marihuanë dhe mbi 1,300 shishe me vaj kanabisi. Ndërkaq, në disa subjekte në rajonin lindor janë marrë mbi 31 ton marihuanë dhe material bimor. Sipas policisë pas kontrolleve dhe verifikimeve, janë konstatuar shkelje të shumta dhe mos-përputhje të sasive të marihuanës që posedonte dhe prodhonte subjekti.