Vazhdojnë përplasjet mes partive politike sa i përket përgjegjësisë për arratisjen e ish ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani nga paraburgimi shtëpiak. Nga LSDM fajin për arratisjen e Ramadanit e hedhin mbi Ministrinë e Punëve të Brendshme. Sipas tyre, ministri i brendshëm Pançe Toshkovski është i paaftë për kryerjen e detyrës, për shkak se siç shtojnë, nuk ka kontroll mbi të burgosurit dhe sigurisë publike.
“Qeveria e VMRO-DPMNE-së po e demanton vetveten në përpjekjet për manipulim dhe spin sa i përket skandalit me arratisjen e Blerim Ramadanit. Komedia e fundit që e shohim në këtë temë janë pikërisht deklaratat e Aleksandar Pandovit dhe zv. kryeministrit Izet Mexhiti të cilët qartë thanë se faji dhe informatat për atë se si është arratisur Blerim Ramadani duhet të kërkohen në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, pohoi Bogdana Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.
E nga VMRO-DPMNE konsiderojnë se në realitet, e gjithë çështja fillon nga lirimi në paraburgim i Ramadanit, nga ana e gjykatësit Pajazit Pajaziti, të cilin e konsiderojnë të afërt me BDI-në dhe LSDM-në.
“Pajazit Pajaziti gjykatës i afërt me BDI-në dhe LSD-në e lëshuan Blerim Ramadanin në paraburgim shtëpiak që lehtë të arratiset. Pajazit Pajaziti është gjykatësi i njëjtë i cili vendosi për sulmin në kullën për fluturime në aeroport por edhe për aktgjykimin me kusht për Ixhet Memetin në rastin me ryshfet. Gjithnjë kur LSD dhe BDI kanë interes, këtu është Pajazit Pajaziti. Kërkojmë institucionet menjëherë të hapin procedura dhe Pajazit Pajaziti të shkarkohet nga funksioni gjykatës”, theksoi Bojan Stojanovski – deputet i VMRO-DPMNE-së.
Nga BDI ndërkohë akuzuan qeverinë dhe koalicionin VLEN, duke u thënë se kanë tentuar ta ekstradojnë Ramadanin në Serbi.
“Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson që dështoi plani i Vuçiqit dhe qeverisë monoetnike për ekstradim të ish ushtarit të UÇK-së Blerim Ramadani nga Kosova i cili po përndiqet me urdhër të qeverisë serbe dhe ishte arrestuar në Shkup. Mexhiti e Taravari, humbës të zgjedhjeve dhe vazalët e preferuar të VMRO-së, u krekosën që e kanë liruar Blerim Ramadanin, duke e mashtruar opinionin shqiptar”, thonë nga BDI.
E pas këtyre akuzave, reagoi koalicioni VLEN. Japin detaje për, siç thonë, se si BDI përmes instalimeve në gjyqësor tentoi të shkaktojë përkeqësim të marrdhënieve me Republikën e Kosovës, madje duke e sakrifikuar Blerim Ramadanin.
“Fatmirësisht Blerim Ramadani e ka lexuar me kohë skenarin e tyre. Logjistika kryesore për flijimin e Blerim Ramadanit ishte Islam Abazi i Zajazit, i cili vepronte me urdhër të Ali Ahmetit dhe Blerim Bexhetit. Janë tri akte gjyqësore që vërtetojnë se BDI-ja ka punuar fillimisht që të mos caktohet masa e arrestit shtëpiak, pastaj ajo të anulohet dhe Blerim Ramadani fillimisht të kthehet në burgun hetimor, e më pas të ekstradohet në Serbi”, pohojnë nga VLEN.
Përndryshe dje Këshilli Gjyqësor vendosi të formojë komision të posaçëm për arratisjen e Blerim Ramadanit. Ky komision, do të duhet të shqyrtojë se ku qëndron lëshimi dhe do t’i shqyrtojë vendimet e gjykatësve për lëshimin në paraburgim shtëpiak të Ramadanit. Sapo të konstatohet gjendja faktike, nga Këshilli Gjyqësor do të dalin me të dhëna konkrete para opinionit.