VMRO-DPMNE reagoi ndaj fjalimit të Venko Filipçes para Kongresit të LSDM-së, duke vlerësuar se raportimi i tij ishte i zbrazët dhe pa asnjë përgjegjësi politike. Sipas kësaj partie, Filipçe nuk dha asnjë shpjegim pse LSDM sot është partia e pestë në Shkup dhe e treta në nivel shtetëror, as pse partia nuk përfaqëson më një alternativë reale për qytetarët. Nga VMRO-DPMNE theksojnë se Filipçe nuk u distancua nga ish-kryeministri Zoran Zaev dhe, siç thonë ata, nga krimet dhe aferat që lidhen me udhëheqjen e mëparshme të LSDM-së. Po ashtu, ai akuzohet se ka mbrojtur bashkëpunimin me BDI-në dhe se nuk është distancuar nga rastet e dyshuara për korrupsion, përfshirë aferat me tenderë, rastin e Lotarisë, si dhe çështjen “Aditiv”, për të cilën shteti u dëmtua me miliona euro. Sipas reagimit, Filipçe nuk ka sqaruar as politikat e jashtme të LSDM-së, përfshirë marrëdhëniet me Bullgarinë dhe Greqinë, pranimin e propozimit francez dhe, siç thonë ata, konfliktet politike me SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar./TV21
