Mërgim Vojvoda, një prej shtyllave të mbrojtjes së Kombëtares së Kosovës, në episodin ‘FFK Podcast’ ka shpalosur emocionet, synimet dhe realizmin e një futbollisti që ka kaluar vite të rëndësishme me fanellën e Dardanëve. Për të, kualifikimi në Kampionatin Botëror 2026 do të ishte kulmi i karrierës dhe realizimi i ëndrrës së fëmijërisë. Ai ka theksuar se një sukses i tillë do të kishte peshën e një momenti që e tejkalon çdo arritje individuale.
Në analizën e tij për duelin e parë të “play-off”-it, Vojvoda e sheh sfidën kundër Sllovakisë si tërësisht të hapur, duke vlerësuar se ekipi i Kosovës ka treguar pjekuri dhe karakter për ta çuar deri në fund këtë rrugëtim. Sipas tij, fakti që finalja e mundshme luhet në shtëpi i jep Dardanëve një ndjenjë shtesë besimi dhe motivimi.
Një prej pikave të rëndësishme që ai ka theksuar është gjendja fizike e lojtarëve, të cilën e sheh si faktor kyç në ndeshje të këtij niveli. Përballjet e “play-off”-it i ka cilësuar si finale të vërteta, ku çdo detaj, qoftë energjia, freskia apo përqendrimi, mund të bëjë diferencën.
Vojvoda është ndalur edhe te ndryshimet mes gjeneratave, duke vlerësuar se lojtarët e rinj të Kombëtares po tregojnë disiplinë, përqendrim dhe respekt të jashtëzakonshëm për fanellën. Ai ka veçuar me admirim sakrificat e disa prej tyre që udhëtojnë me orë të tëra nga vende të largëta vetëm për të qenë pjesë e Kosovës, duke e cilësuar këtë përkushtim si shembull frymëzues.
Në rikthimin e tij emocionues te humbja e ashpër kundër Zvicrës në nisje të kualifikimeve, Vojvoda ka pranuar se ekipi e përjetoi rëndë atë rezultat. Megjithatë, ai shtoi se pikërisht ajo sfidë shërbeu si pikë kthese, sepse nga ajo ndeshje grupi ndryshoi qasjen, u bë më kompakt dhe më i bashkuar. Ky transformim, sipas tij, ishte themelor në arritjen e “play-off”-it.
Ai ka folur edhe për rritjen e mentalitetit brenda ekipit, krahasuar me vitet e para të Kombëtares, duke theksuar se sot çdo lojtar është i vetëdijshëm për rëndësinë e ekipit mbi individin. Sipas tij, Kosova po i afrohet mënyrës së të menduarit që kanë kombëtaret e mëdha, ku gjithsecili, qoftë titullar apo lojtar që futet nga bankina, e di detyrën dhe jep maksimumin për tre pikët.
Në fund, Vojvoda është ndalur edhe te Como, skuadra e tij në Serie A, duke folur për sfidat e kampionatit italian dhe pritjet personale për edicionin aktual, ku ai synon të kontribuojë maksimalisht si në klub ashtu edhe në Kombëtare.
The post Vojvoda: Sfida ndaj Sllovakisë do të jetë shumë e hapur appeared first on Alsat.
