Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë këtë të mërkurë (30 shtator) në kuadër të turit në Ballkanin Perëndimor. Sipas agjendës së publikuar nga Komisioni Evropian, gjatë qëndrimit në Tiranë, Von der Leyen do të zhvillojë takime me drejtuesit më të lartë të vendit, ndërsa më 1 tetor do të vijojë vizitën në Prishtinë.

Në Kosovë, presidentja e Komisionit Evropian do të zhvillojë takime të veçanta me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti. Po më 1 tetor, Von der Leyen do të udhëtojë drejt Podgoricës, ku pritet të takohet me drejtuesit e Malit të Zi dhe të diskutojë mbi procesin e integrimit evropian të vendit.

Turneu do të përmbyllet më 2 tetor në Shkup, ku presidentja e Komisionit Evropian do të zhvillojë takime me drejtuesit e Maqedonisë së Veriut. Në fokus të këtij turi do të jenë hapat e ardhshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe përparimi i procesit të integrimit gradual të rajonit.

Një tjetër temë e rëndësishme do të jetë Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përmes të cilit BE synon të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe afrimin gradual të vendeve të rajonit me tregun dhe strukturat evropiane.

Ky është turi i gjashtë i Ursula von der Leyen në Ballkanin Perëndimor. Gjatë vizitave, ajo pritet të vizitojë edhe projekte të financuara nga Bashkimi Evropian në vendet e rajonit.