Gazetare: Melihate Rustemi

Data 15 ka kaluar, por llogaritë bankare të qindra mësimdhënësve në Komunën e Çairit mbeten të zbrazëta. Përkundër detyrimit ligjor që pagat e muajit dhjetor të lëshohen në mesin e muajit, arsimtarët ende nuk kanë marrë mjetet për punën e bërë, duke u përballur me vështirësi financiare në fillim të vitit të ri.
Situata është identike edhe në shkollën e mesme të mjekësisë në Shkup, “Dr. Pançe Karagjozov”. Atje, stafi arsimor ka mbetur në pritje, ndërkohë që asnjë njoftim zyrtar nuk ka sqaruar arsyet e kësaj vonese. Ky bllokim i pagave të dhjetorit, sipas mësimdhënësve që u ankuan në redaksinë e Alsat, ka rënduar jashtë mase gjendjen ekonomike të shumë familjeve. Në përgjigjen e saj, Komuna e Çairit tha se vonesa nuk është neglizhencë e tyre, por pasojë e procedurave të stërzgjatura administrative.

“Në muajin janar çdo vit ka vonesa teknike, për shkak të festave dhe fillimit të vitit fiskal, dhe për këtë arsye procedurat zakonisht përfundojnë rreth datës 8–9 janar. Sipas dinamikës aktuale, planifikohet që rrogat të ekzekutohen të martën, pa pengesa shtesë. Komuna e Çairit është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet kompetente për realizimin me kohë të pagesave”, thonë nga Komuna e Çairit.

-Vonesat, të natyrës teknike
-Rrogat do të lëshohen ditën e martë

Ndërkohë, për rastin e shkollës së mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozozov” nuk morëm asnjë përgjigje nga institucionet përkatëse. Burime të Alsat thonë se mjetet nga ministria e Arsimit janë gati, por rrogat nuk janë lëshuar për shkak të problemeve teknike dhe gabimeve në dokumentacion nga ana e vetë drejtuesve të shkollës./Alsat.mk

The post Vonesa në pagat e mësimdhënësve të Çairit dhe Shkupit, arsyeja “probleme teknike” appeared first on Alsat.