
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve informoi se rezultatet nga votimi i personave të sëmurë dhe të pafuqishëm, në burgje dhe në shtëpitë e të moshuarve, nuk publikohen veçmas, por do të numërohen sot, pas përfundimit të votimit në raundin e dytë, transmeton www.faktiditor.mk
Çdo fletëvotim individual është vendosur në një zarf të veçantë të mbyllur dhe në kutitë e votimit. Numërimi i këtyre votave dhe publikimi i rezultateve do të bëhet së bashku me rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve pas orës 19:00, për çdo vendvotim dhe për çdo komunë ku votohet.
Dje, nga gjithsej 4.826 persona të sëmurë ose të pafuqishëm që kishin të drejtë vote në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kanë votuar 3.327 votues.
Në 14 institucionet korrektuese, ku të drejtën e votës mund ta ushtrojnë 1.256 persona që janë duke vuajtur dënim me burg ose janë në paraburgim, kanë votuar 588 votues, ndërsa nga 214 persona të vendosur në institucionet e kujdesit jashtëfamiljar kanë votuar 125 votues.

