Sistemi pensional i Maqedonisë se Veriut është nën presion fiskal, ku deficiti strukturor i pensioneve, kostot e tranzicionit për shtyllën e dytë dhe kontributet shëndetësore, të zvogëluara për te ardhurat e veta nga kontributet – në vitin 2025 arriti në 54,4 miliard denarë, ose 5,2% të BPV-së. Këtë e tregon raporti i Këshillit Fiskal. Kjo do të thotë se rreth 41% e shpenzimeve të Fondit mbulohen nga buxheti, krahasuar me rreth 36% në vitin 2023. Pa reformë, deficiti nga 5,2% sa ishte vjet, deri në vitin 2030 pritet të arrij në 6,3% dhe nëse vazhdon ky trend në vitet 2035-2037 pritet të jetë rreth 6,6%. Sipas studimit, periudha më e rrezikshme është 2038-2048, kur kostot e tranzicionit arrijnë kulmin, ndërsa numri i të siguruarve për një pensionist bie nën 1,3.
“Kompanitë i kanë menaxhuar portofoliot e tyre në formë konservatore, me atë rritje rekomandohet që struktura e investimeve të ndryshohet në raport me stazhin e të siguruarve. Rekomandohet 10-15 vjet të siguruar te rinj 2/3 e portofolios së tyre mos të jetë si tani, por të jetë me rrezikuese në investime, të tipit që sjell më tepër dobi. Rekomandimi ndaj shoqërive aksionare e kompanive është që ta balancojnë investimin me rrezikun”, deklaroi Abdulmenaf Bexheti, kryetari i Këshillit Fiskal.
Norma e kontributeve u zvogëlua nga 21,2% në 18% në vitet 2009-2010, ndërsa pensionet u rritën disa herë jashtë formulës ligjore. Tregu i punës në të zezë u rrit sërish në 13,5%, ndërsa gratë mbeten dukshëm më pak aktive ekonomikisht se burrat. Që nga viti 2023, shpenzimet për pensione u rritën dukshëm më shpejt se te ardhurat nga kontributet – në vitin 2025, 19% kundrejt 8,8%. Ky nuk është efekt demografik, por rezultat i indeksimit dhe i rritjeve lineare të pensioneve, thuhet në raport.
“Gjendja demografike, vërejte se niveli i fertilitetit është 1,6, rritja natyrore nga 2019 është ulur, kemi shtim të emigrimit që shprehet në grupin e fuqisë së re punëtore, të cilët do të duhej të kontribuonin në sistem, ndërsa koeficienti i plakjes është rritur”, u shpreh Bllagica Petreski, drejtoresha e “Finance Think” .
Në afat te gjate deficiti duket se zvogëlohet, në 5,5% ne vitin 2050 dhe 2,7% në vitin 2070, por kjo nuk është përmirësim: pensionet mbeten gjithnjë e më shume prapa pagave, kështu që raporti ndërmjet pensionit mesatar dhe pagës neto bie nga 59% në 35% deri në vitin 2050. Në shumë absolute deficiti rritet gjate gjithë kohës, ndërsa rreth mesit të viteve 2040 do të ketë më pak të siguruar sesa pensioniste. Studimi tregon se asnjë masë e vetme nuk është e mjaftueshme.
“Për 10 miliard denarë është rritur deficiti në 2026 në krahasim me 2025. Në këtë viti deficiti është 64 miliardë! Struktura e deficitit pason: 32 miliard denarë shfrytëzohen nga ky deficit prej 64 miliardëve, për pagesë të pensioneve, 13,7 miliard denarë ndahen për sigurimet shëndetësore të pensionistëve, 19,6 miliard denarë harxhohen për shpenzime trazitore”, pohoi Nikolla Memov, drejtor i Fondit për Sigurim Pensional-Invalidor .
Me reformë, pra me një paketë te kombinuar të përbërë nga rritja graduale e kontributit në 20%, indeksimi vetëm me inflacionin, pjesëmarrja më e madhe e grave ne tregun e punës dhe zvogëlimi i ekonomisë joformale, deficiti bie ne 4,2% te BPV-së, ndërsa deri ne vitin 2050 nën 0,5%. Ndryshimi i moshës pensionale në atë paketë ka efekt shtesë te vogël, me pak se 0,2 pikë përqindjeje të BPV-së.
