Kryengritësit jemenas huthë kumtuan se është vrarë “në kryerjen e detyrës” kryeshefi i Shtatmadhorisë, Muhamed Abd al Karim al Gamari.

Huthët pa e akuzuar drejtpërdrejtë Jerusalemin për vrasjen e Al Gamarit, publikuan se konflikti me Izraelin nuk ka përfunduar dhe se “do të ndëshkohet për krimet që i ka bërë”.

Izraeli në gusht e sulmoi kryeqytetin e Jemenit, Sanën me ç’rast targetoi Shtatmadhorinë, ministrin e mbrojtjes dhe zyrtarë tjerë të lartë. Në sulme u vranë kryeministri i qeverisë së huthëve në Jemen dhe disa ministra të tjerë.

Al Gamari ishte anëtar i “zyrës për xhihad” të huthëve, përgjegjëse për mbikëqyrjen e operacioneve ushtarak të udhëhequra nga Abdul Malik al Huthi, vëllau u themeluesit të vrarë të lëvizjes.

Nga tetori i vitit 2023, kur filloi lufta në Rripin e Gazës, huthët lëshuan raketa dhe dronë ndaj objektivave në Izrael dhe sulmuan më shumë se 100 anije në Detin e Kuq dhe atë Arabik, në ngushticën Bab-el-Mandeb dhe në Gjirin e Adenit, në një shenjë mbështetjeje për palestinezët. Në përgjigje të sulmeve, Izraeli ka sulmuar vazhdimisht objektiva në zonat e kontrolluara nga Huthët në Jemen.

Kryengritësit jemenas kontrollojnë pjesë të mëdha të vendit, përfshirë edhe Sanën, ku huthët kanë krijuar institucionet e tyre politike. Autoritetet e njohura ndërkombëtarisht të Jemenit janë dëbuar nga Sana në Aden.