Sveçla: Serbia po vazhdon me veprime destabilizuese ndaj Kosovës – faktori ndërkombëtar të reagojë

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla ka reaguar pas dyshimeve se një serb i Kosovës është plagosur e më pas rrëmbyer nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla tha se Serbia po vazhdon me veprimet e saj destabilizuese ndaj Kosovës, duke cenuar hapur integritetin territorial, kësaj radhe në zonën -0- të kufirit mes dy vendeve, e cila, thotë Sveçla, ka prani më të shtuar të KFOR-it.

“Në vazhdën e politikave të saj të frikësimit dhe përndjekjeve ndaj qytetarëve që nuk i binden regjimit të Vuçiqit, xhandarmëria serbe ka plagosur duke tentuar ta vrasë dhe më pas e ka rrëmbyer një qytetar me inicialet M.V, shtetas i Republikës së Kosovës”, shtoi tutje ministri në detyrë.

Pos tjerash, ai thotë se ky përbën edhe një akt tjetër të përsëritur dhe të pandëshkuar.

Sveçla ka shtuar se është koha e fundit që faktori ndërkombëtar të reagojë me veprime të qarta dhe ndëshkuese ndaj Serbisë, në mënyrë që këto akte armiqësore të mos përsëriten më kurrë.

“Dy vite më parë pjesëtarë të njësive speciale të Serbisë hynë brenda territorit tonë dhe kidnapuan tre pjesëtarë të policisë sonë, pas kësaj, ndodhi sulmi terrorist në Banjskë. Në anën tjetër është e vazhdueshme politika e terrorit dhe dhunës që ajo ushtron në vazhdimësi me figurat që nuk pajtohen me politikat agresore të Aleksandër Vuçiqit.  Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme. Ajo përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë”.

_______________________

Ky dyshohet se është personi që u plagos dhe u rrëmbye nga xhandarmëria serbe në Leposaviq

Avokati në Serbi Ivan Niniq, e ka zbuluar identitetin e personit që dyshohet se u plagos dhe u rrëmbye nga xhandarmëria serbe në Leposaviq.

Sipas tij, ai është Millan Vukashinoviq, të cilit ia publikoi edhe fotografinë.

Për rastin, avokati e quajti përgjegjës presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, të cilit ia parashtroi edhe disa pyetje nëpërmjet llogarisë së tij zyrtare në “X”.

“Meqenëse përgjegjësit po heshtin, duhet të parashtroj disa pyetje për A. Vuçiqin, B. Gashiqin dhe drejtorin e VBA-së, Gjuro Jovaniq: A është qëlluar për vdekje të shtunën rreth orës 16:00 në fshatin Jelakce/Leposaviq MILAN VUKASHINOVIQ (1986), të cilit po i luftojnë për jetën në Qendrën Klinike të Nishit?”, pyeti ai.

“A iu është hequr Milanit në Qendrën Klinike të Nishit veshka e majtë dhe cipëza e zemrës?”, shtoi ai.

Avokati pyeti edhe se “a ka ende plumb në shtyllën kurrizore Milani apo nuk dihet ende?”.

“A do të mbetet invalid Milani dhe sa gjak ka humbur gjatë transportit nga Prokuplja në Nish? A është qëlluar Milani nga pas dhe pse? A kishin pjesëtarët e ushtrisë së Serbisë uniforma maskuese pa shenja dalluese? A ka marrë pjesë, përveç ushtrisë, edhe ‘dikush tjetër’ në aksionin e gjuetisë ndaj Milanit? A ishin 3 xhipat në terren pa targa? A është kryer ekspertiza në vendin e ngjarjes, kush e ka kryer dhe kur? Ku është ‘Lada Niva’-ja e Milanit? A menduat se kjo do të fshihej? A mendoni se askush, asnjëherë, nuk do të japë përgjegjësi?”, shkroi Niniq në “X”.

Për këtë incident, Policia e Kosovës para pak orësh lëshoi komunikatë, përmes të cilës njoftoi se shtetasi i Republikës së Kosovës, i nacionalitetit serb me iniciale M.V., dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës.

Rasti, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur të shtunën (1 nëntor) dhe për të njëjtin është njoftuar edhe KFOR-i, si përgjegjëse për zonën/brezin kufitar.