Policia, në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit, që nga mëngjesi i sotëm po zhvillon një aksion të gjerë në disa lokacione në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, ku po hetohen dyshime për keqpërdorime serioze me rezervat shtetërore.
Sipas informacioneve të siguruara nga Pres24, në fokus të hetimeve janë disa ish-zyrtarë të lartë dhe funksionarë aktualë të institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e rezervave shtetërore. Mes të dyshuarve janë ish-ministri i Bujqësisë, T.D., ish-drejtori i Agjencisë për Rezerva Shtetërore, R.A., si dhe tre drejtues të tjerë nga e njëjta agjenci. Në mesin e të dyshuarve figuron edhe një ekspert nga Byroja për Vlerësim në fushën e bujqësisë.
Sipas dyshimeve, personat e përfshirë kanë lejuar, përmes moskryerjes së detyrave zyrtare, që të bëhet shkrimi i 1.500.000 kilogramëve grurë merkantil dhe 500.000 kilogramëve elb nga rezervat shtetërore. Me këtë veprim dyshohet se i është shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 780 mijë eurosh.
Institucionet kompetente ende nuk kanë dhënë detaje shtesë, ndërsa pritet që gjatë ditës të publikohen informacione të reja lidhur me aksionin dhe procedurat hetimore.
