Autoritetet ligjzbatuese në Kosovë njoftuan të dielën se kanë zbuluar një lokacion të ri në Zubin Potok, ku dyshohet se mund të ketë mbetje njerëzore.

Identifikimi i këtij lokacioni u bë ndërsa në këtë komunë veriore po vazhdojnë gërmimet pas gjetjes së mbetjeve njerëzore që dyshohet se u përkasin njerëzve të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-‘99.

Në një komunikatë të përbashkët, Policia dhe Prokuroria Speciale e Kosovës thanë se ky lokacion u zbulua në fshatin Jabukë gjatë hetimeve që janë duke u zhvilluar lidhur me rastin në Zubin Potok.

Ato thanë se do t’i kërkojnë Gjykatës Themelore në Prishtinë të lejojë zhvarrime dhe ekzaminimeve të nevojshme në këtë lokacion.

“Pas marrjes së autorizimeve përkatëse nga gjykata, Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të luftës dhe institucionet e tjera kompetente do të ndërmarrë veprimet e nevojshme”, thuhet në njoftim.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shkroi në Facebook se dyshimet “për një varrezë të dytë masive janë një rikujtim i rëndë i krimeve të kryera gjatë luftës dhe një dëshmi se drejtësia ende nuk është vënë plotësisht në vend”.

“Në këto momente, shprehim solidaritetin më të thellë me familjet e viktimave, të cilat për më shumë se dy dekada kanë pritur të dinë fatin e më të dashurve të tyre”, tha ajo.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 njerëz, shumica shqiptarë, vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e fundit.

Gërmimet në Zubin Potok

Njoftimi për gjetjen e këtij lokacioni në Jabukë vjen ndërkohë që prej ditësh ekipet e forenzikës po gërmojnë në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut.

Po ashtu, të dielën, autoritetet njoftuan se arrestuan një të dyshuar tjetër për rastin e Zubin Potokut. Ai është personi i tretë i arrestuar për këtë rast.

Policia tha më vonë se ka gjetur dëshmi se njëri nga të arrestuarit në Zubin Potok ishte pjesë aktive e armatës jugosllave.

Gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël dhe zbulimi i mundshëm i mbetjeve të tjera mortore në Jabukë vijnë pas një hetimi rreth dyvjeçar.

Ndërkohë, të shtunën, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se gërmimet në Kalludër të Vogël mund të zgjasin me muaj, për shkak të shpërndarjes së mbetjeve njerëzore dhe terrenit të vështirë.

Duke folur për media gjatë vizitës së tij në vendin e gërmimeve, Kurti tha se Serbia duhet të kushtëzohet nga bashkësia ndërkombëtare për hapjen e arkivave, gjë që do të ndihmonte në zbardhjen e fatit të rreth 1.600 njerëzve ende të zhdukur.

Serbia deri tani nuk ka lejuar qasje të plotë në dokumentet e institucioneve që kanë vepruar gjatë luftës në Kosovë, pavarësisht zotimeve për bashkëpunim dhe shkëmbim të dhënash.

Autoritetet kanë thënë se është herët të flitet për identifikimin e viktimave të mundshme, duke bërë thirrje për ruajtjen e integritetit të hetimeve.

Por, Kurti e përsëriti të shtunën se mbetjet e dyshuara njerëzore në këtë fshat mund t’iu përkasin një grupi prej 23 shqiptarëve të zhdukur në atë pjesë të vendit në vitin 1999.

“Duhet t’i presim analizat e ADN-së, por me shumë gjasa bëhet fjalë për shqiptarët të njohur si grupi i intelektualëve, 23 sosh, të cilët më 19 prill, para 27 vjetëve, u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë”, tha Kurti.

Kohët e fundit autoritetet kanë kryer vazhdimisht gërmime në lokacione të ndryshme, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka dokumentuar 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-’99.

Më herët gjatë vitit, Kosova ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë asaj lufte./REL