Komisioni Evropian është i vetëdijshëm për shqetësimet që i shprehin operatorët e transportit nga Ballkani Perëndimor, po e ndjek me vëmendje situatën me bllokadat në pikat kufitare dhe është në kontakt me partnerët nga rajoni, deklaroi zëdhënësi i KE-së për Çështje të Brendshme, Markus Lammert. Lammert u pyet nëse Bashkimi Evropian planifikon t’u japë një status të veçantë shoferëve profesionistë dhe të mos i trajtojë ata si turistë gjatë hyrjes në bllok.
Ai nuk u përgjigj drejtpërdrejt, por theksoi se është e rëndësishme të theksohet se këto rregulla nuk janë të reja, por vlejnë prej vitesh në mënyrë të njëjtë në të gjithë territorin e zonës Shengen, si dhe se ato tashmë parashikojnë një shkallë të caktuar fleksibiliteti për disa kategori punëtorësh.
“Sistemi i hyrje-daljes (EES) nuk vendos asnjë rregullore të re dhe asnjë kërkesë të re që lidhet me kohëzgjatjen e qëndrimit në zonën Shengen, por vetëm siguron zbatim më të mirë të rregullave ekzistuese dhe zbulim sistematik të praktikave të parregullta. Sipas rregullave të Shengenit, shtetasit e vendeve të cilëve nuk u nevojitet vizë për hyrje në BE kanë të drejtë të qëndrojnë në zonën Shengen 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh në cilindo shtet. Përtej kësaj, qëndrimi duhet të mbulohet me vizë ose me marrëveshje kombëtare”, theksoi Markus Lamert – zëdhënës i KE-së.
