Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka thënë në konferencën për shtyp të enjten pas eliminimit nga Liga e Konferencës, se është krenar që e drejton Dritën dhe futbollistët e skuadrës gjilanase.
Ai theksoi se kanë bërë çdo gjë për të avancuar në një të tetën e finales. Ndeshjen që përfundoi 3:2 në të mirë të Celjes, tekniku shkupjan e vlerësoi “të çmendur”.

“Një ndeshje e çmendur. Ndeshje që dha pesë gola siç ishte në Prishtinë. Më vjen keq që u eliminuam nga kjo garë. Por nga ana tjetër jam krenar që jam trajner i Dritës dhe i këtyre futbollistëve me karakter kampioni, me zemër të madhe, me guxim të madh. Edhe sonte e treguan atë që jo rastësisht Drita ka ardhur deri këtu. Me punë, me angazhim, me besim, jemi këtu ku jemi. Vetëm mund t’i përgëzoj futbollistët e mi për lojën e treguar, për atë që kemi bërë deri më sot. Më meritorët janë ata. Djersa e tyre, mundi i tyre, angazhimi i tyre, sakrifica e tyre, bëri që ne të shkruajmë historinë në futbollin kosovar. Dua t’i falënderoj edhe tifozët tanë që erdhën nga Evropa për ta mbështetur ekipin tonë. Besoj se janë ndarë të kënaqur me lojën, por jo me rezultatin, siç nuk jemi të kënaqur edhe ne”, tha Ramadani.

Ai e mbylli konferencën për shtyp pas ndeshjes duke thënë se ai dhe skuadra e Dritës do ta kërkojë sërish këtë fazë të garës, por në Ligën e Evropës.

“E kam përjetuar ëndrrën time për të qenë një trajner i një skuadre që garon në Ligën e Konferencës apo Ligën e Evropës. Dhe jam i përmbushur deri më sot. Por, ia kam dhënë vetes një obligim që asnjëherë nuk dua të garoj me askënd tjetër përveçse me vetveten. Dhe nuk dua asnjëherë t’i them vetes mjaftë, kaq ishte se kjo mjafton. Nuk mjafton kurrë. Jam i bindur që mundemi, këtë e kërkoj edhe nga futbollistët. Mundemi, e kemi patjetër, detyrim, për ta vazhduar më tepër dhe për të qenë në garë me vetveten. Nëse kemi ardhur deri këtu ku ishim sot, vitin tjetër, nëse vijmë deri këtu, do të jetë në Ligën e Evropës, të mos jetë në Ligën e Konferencës. Nëse nuk arrijmë të bëjmë progres një hap, të paktën ta mbajmë atë që e kemi arritur vitin e kaluar. Kjo është motoja ime dhe për mua dhe për futbollistët e mi”, theksoi Ramadani.

The post Zekirija Ramadani: Jam krenar që jam trajner i Dritës dhe i futbollistëve appeared first on Alsat.