Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shpreson që Bashkimi Evropian të përfshihet në bisedimet me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, të planifikuara për muajin nëntor.
“Shpresojmë të gjejmë një mënyrë për të përfshirë Evropën”, deklaroi Zelensky gjatë vizitës në Hagë, ku u takua me kryeministrin holandez, Rob Jetten.
Ende nuk është bërë e ditur se kur dhe ku do të zhvillohen bisedimet. Sipas Zelenskyt, kjo çështje pritet të diskutohet sërish në fillim të nëntorit, pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Gjatë takimit, kryeministri holandez, Rob Jetten, njoftoi se Holanda i ka premtuar Ukrainës 500 milionë euro ndihmë ushtarake, me synimin për ta ndihmuar vendin të përballojë dimrin e ardhshëm.
Paketa e re përfshin kryesisht sisteme të mbrojtjes kundërajrore dhe dronë. Më herët, Holanda kishte premtuar edhe një paketë tjetër ndihme me vlerë 1,2 miliardë euro, e përbërë nga pajisje dhe materiale jo-ushtarake.
Jetten theksoi se Rusia po shton sulmet ndaj objektivave civile dhe infrastrukturës jetike në Ukrainë, në prag të dimrit. Për këtë arsye, ai u bëri thirrje vendeve evropiane të veprojnë të bashkuara dhe të ashpërsojnë sanksionet kundër Moskës.
Në kuadër të vizitës së tij në Holandë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të takohet edhe me mbretin Willem-Alexander, gjatë mbrëmjes së sotme.
