Pengesa më e madhe që duhet kapërcyer në bisedimet e paqes për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë është çështja territoriale, tha të hënën presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke shtuar se zyrtarët amerikanë dhe ukrainas kishin diskutuar “disa ide” gjatë bisedimeve në Paris, raporton Reuters.
Ukraina është nën presion nga Shtetet e Bashkuara për të arritur shpejt një marrëveshje paqeje që mund të përfshijë lëshime të dhimbshme, por ka refuzuar të pranojë kërkesat ruse për të lëshuar territorin që ende kontrollon në rajonin lindor të Donbasit.
“Çështja më e madhe mbi të cilën duhet punuar është ajo territoriale. Ne diskutuam disa ide që mund të ndihmojnë”, tha Zelensky nga Parisi, pas takimit me aleatët evropianë për të formësuar garancitë e sigurisë për Ukrainën.
“Nëse grupet nuk mund t’i zgjidhin çështje të caktuara, çështja mund t’i referohet nivelit të menaxhimit”, shtoi Zelensky.
Delegacioni ukrainas do të qëndrojë në Paris për konsultime të mëtejshme, shtoi Zelensky.
Nga ana e tij, i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, u tha gazetarëve se në bisedimet në Paris u shqyrtuan opsionet mbi çështjen territoriale dhe se diskutimet do të vazhdojnë.
Ukraina njoftoi më parë se Shtetet e Bashkuara kishin propozuar idenë e një zone të lirë ekonomike, me kusht që Kievi të tërhiqej nga pjesë të rajonit të Donetskut që ende kontrollohen nga forcat ukrainase.
The post Zelensky: Territori është pengesa më e madhe për t’i dhënë fund luftës, “disa ide” janë në lojë appeared first on Alsat.
