Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të bisedimeve në të gjitha nivelet, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje që do t’i japë fund luftës në Ukrainë.

Përmes një deklarate, Zelensky bëri të ditur se ka zhvilluar bisedime me partnerët e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.

Ai njoftoi gjithashtu se ka zhvilluar një bisedë me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke vlerësuar gatishmërinë e tij për të ndihmuar Ukrainën dhe për të gjetur zgjidhje për sfidat me të cilat përballet vendi.

Zelensky theksoi se Ukraina dëshiron paqen më shumë se kushdo tjetër, ndërsa akuzoi Rusinë se po zgjedh vazhdimin e luftës.

Sipas presidentit ukrainas, përgjegjësia për vazhdimin e luftimeve dhe humbjen e jetëve të tjera bie mbi Moskën.

Ai ritheksoi se dialogu dhe përpjekjet diplomatike duhet të vazhdojnë, në mënyrë që të krijohen kushtet për përfundimin e luftës.