Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka paraqitur dorëheqjen e tij të parevokueshme nga posti i kreut të partisë në mbledhjen e sontme të Kuvendit Qendror. Vendimi, siç theksoi ai, vjen si rezultat i zhvillimeve të fundit brenda koalicionit VLEN dhe nevojës për t’i hapur rrugë një lidershipi të ri. Në krye të partisë, deri në kongresin e ardhshëm, u zgjodh deputeti Bekim Sali, të cilin Ibrahimi e cilësoi si mik të tij të vjetër dhe drejtuesin e ardhshëm që do të udhëheqë proceset politike të Alternativës dhe VLEN-it. Në fjalimin e tij të gjatë dhe reflektues, Ibrahimi solli arsyet e dorëheqjes, bilancin e 11 viteve të angazhimit politik dhe një mesazh falënderimi për mbështetësit, bashkëpunëtorët dhe familjen.

Postimi i plotë i Zeqirja Ibrahimit në Facebook:

Të nderuar bashkëpunëtorë e kolegë të Alternativës, në veçanti, e të VLEN-it, në përgjithësi,
Familjarë të dashur, miq e shokë,
Dëshiroj t’ju njoftoj publikisht se sonte, në mbledhjen e Kuvendit Qendror të Alternativës, e ofrova dorëheqjen time të pakthyeshme nga pozita e kryetarit të partisë AlternAtivA. Me këtë rast, në këtë detyrë, deri në kongresin e ardhshëm, me mbështetje të plotë u zgjodh miku im tridekadësh, deputeti i sotëm dhe zëvendëskryeministri i parë i nesërm, Bekim Sali.
Ndonëse synimi im ka qenë që kjo të mos bëhet me dorëheqje, por thjesht mos të kandidohem më për këtë pozitë në kongresin e ardhshëm të Alternativës, që duhej të mbahet në mars/prill të vitit tjetër, ishin zhvillimet në VLEN ato që imponuan dinamikë tjetër. E meqë unë edhe ashtu kisha vendosur ta bëj këtë tërheqje në fillim të vitit tjetër, e bëra këtë tash, në mënyrë që vendimet e sotme për të ardhmen e Alternativës, por edhe të VLEN-it, t’i marrë lidershipi i ri. Kjo, sipas meje, është më e drejtë politikisht dhe moralisht.
* * *
Këtë vendim e kam marrë duke reflektuar për atë që është bërë në këto 11 vjet të angazhimit politik publik dhe duke medituar rreth asaj çfarë mund të bëhet tutje. Nëse më duhet ta elaboroj arsyen e kësaj dorëheqjeje, mund të shpjegoj se kjo vjen vetëm për shkak të bindjeve të mia për politikën dhe nuk ka të bëjë me asnjë pakënaqësi ndaj asaj që sot përbën politikën e Alternativës ose të VLEN-it, në përgjithësi. Madje, që ta eliminoj çdo keqkuptim, mund të them se, duke besuar fuqishëm në unifikimin e VLEN-it, unë tashmë e kam ofruar një model të këtij bashkimi në tavolinën e liderëve dhe jam shumë optimist që ai do të pranohet.
Për ta shtyrë më tej këtë shpjegim, më duhet të them se pas kësaj përvoje në VLEN dhe përtej suksesit elektoral, tashmë kur VLEN-it i duhet një projekt i ri politik, një vizion i ri, një kauzë e re politike, një ridefinim i subjektivitetit politik të shqiptarëve, por edhe një lidership i ri, unë gjykoj se nuk mund të ofroj më shumë seç kam ofruar deri tash në këtë drejtim nga ky pozicion dhe prandaj dëshiroj që të jem shtegu për energjinë e re që e kërkon ky proces.
E duke krijuar hapësirë për këtë energji të re, uroj që në VLEN, por jo vetëm, të mundësohet një klasë e re politike që do të mund ta bëjë episodin e dytë të organizimit politik të shqiptarëve në RMV, kjo pas spostimit në opozitë të klasës së vjetër e të vjetruar politike. Nëse ne të gjithë jemi dakord se bota u mbetet të rinjve, jo vetëm për nga mosha, por edhe për nga angazhimi në jetën publike, detyrimi ynë është që ta dëshmojmë këtë edhe në vepër. Në këtë drejtim, jam përpjekur, bashkë me kolegët e tjerë, që së paku në Alternativë të ofrojmë 5-6 figura të reja, që mund të jenë liderët e rinj të skenës sonë politike dhe shpresoj që kjo të vlerësohet. Për mua ata (dhe ato) kanë shumë më tepër potencial dhe energji për këtë projekt, ndërsa, përmes kësaj, dëshiroj të dëshmoj edhe se Alternativa di dhe mund ta ripërtërijë vetveten.
* * *
Meqë secila rrugë e ka një fillim dhe një fund, unë gjykoj se njërën nga shtyllat e misionit politik tashmë e kemi kryer – e kemi hequr nga skena një klasë politike që e kishte degraduar ndjeshëm përfaqësimin politik të shqiptarëve në RMV, duke e reduktuar në terma të dobisë ekonomike për një klan të ngushtë, disa familje ose disa eksponentë të saj, që në jo pak raste fuqinë politike e shfrytëzonin edhe për zhvatje, për korrupsion, për krim, madje edhe për vese të dënueshme për moralin publik. Nëse këtë do ta shpjegoja me një alegori, do të thosha se duke e hequr këtë klasë politike, ne e kemi hequr nga shtrati i lumit një gur të madh, që ia kishte zënë frymën ose e kishte bllokuar rrjedhën e lumit, duke i krijuar mundësi përfitimi vetëm një qarku të ngushtë e duke i privuar njerëzit e rëndomtë nga këto dobi. Është e vërtetë se largimi i kësaj klase politike nuk nënkupton edhe përmirësim automatik dhe detyrimisht të gjendjes së përgjithshme, por të gjithë ne që kemi vepruar deri tash në këtë rrugë, e kemi ditur se pa mënjanimin e tyre nga skena nuk mund të krijoheshin mundësi për të ardhur në shprehje ide të reja, politika të reja dhe figura të reja. Deri tash kjo varej shumë nga heqja e kësaj pengese nga rruga, ndërsa tash e tutje suksesi varet më shumë nga projekti i ri politik i shqiptarëve në RMV.
* * *
Kur po e jap këtë dorëheqje, nuk mund ta fsheh edhe faktin se po tërhiqem nga kjo detyrë dhe nga ky angazhim me një dozë krenarie që i takoj brezit të politikanëve që ia dolën ta pensionojnë klasën politike enveriste, një ideologji tashmë e perënduar qysh me rënien e Murit të Berlinit, e cila për vite të tëra ishte kamufluar duke abuzuar me emblemën dhe lavdinë e UÇK-së dhe me agjendën euro-atlantike, gjithë kjo e gatuar në furrat e agjencive të mirëpaguara të krijimit të opinionit publik dhe ushtrimit të propagandës.
Po tërhiqem nga kjo detyrë duke qenë i lumtur që disa nga politikat konservatore, të artikuluara për herë të parë në skenën politike vetëm pas paraqitjes sonë më 2014, tashmë janë implementuar ose janë në zbatim e sipër, ashtu që mund ta kem ndërgjegjen e qetë që familja tradicionale nuk është më e rrezikuar, që morali publik shqiptar është shndërruar në standard që vështirë mund ta shkelë dikush dhe që identiteti ynë kombëtar nuk është i sfiduar për asimilim etnik e politik. Po ashtu jam i lumtur që në disa momente kemi ndihmuar dhe mbrojtur trashëgiminë tonë kulturore mbi të cilën është ndërtuar identiteti ynë ndër shekuj.
Jam i lumtur gjithashtu që disa nga njerëzit me të cilët e kemi filluar këtë rrugë, sot janë në pozitat më të larta të shtetit, disa janë deputetë të denjë, disa janë në krye të ministrive më të rëndësishme, disa janë në krye të komunave më të rëndësishme e disa janë në pozita të rëndësishme të agjencive e drejtorive, ku jo vetëm që e kryejnë me profesionalizëm, trasnparencë dhe ndershmëri detyrën e tyre, por janë edhe përfaqësimi më besnik i asaj që e kam synuar edhe unë vetë në këtë rrugëtim politik.
* * *
Siç e kisha bërë me dije në krye të herës, më 21 nëntor 2014-të, unë i kisha hyrë politikës duke besuar në misionin tim si njeri, por edhe si intelektual modest, si shqiptar e si besimtar. Unë vazhdoj të besoj se secili nga ne, si qenie sociale, e kemi për detyrim që, nëse jo të tërën, së paku një pjesë të jetës sonë t’ia dedikojmë shoqërisë dhe kjo ka qenë arsyeja që jam angazhuar për t’ia dhënë “hakun” këtij detyrimi.
Përfaqësimi autentik i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ndërtimi i politikave autoktone, që përkojnë me identitetin e veçantë të shqiptarëve në RMV, si dhe pavarësia e këtyre politikave, që unë i kisha quajtur “autonome”, të gjitha të simbolizuara edhe në tre A-të e AlternAtivA-s, kanë qenë lajtmotivi i angazhimit tim politik dhe jam përpjekur që, përkundër kritikave – herë qëllimmira ose qëllimkëqija, por disa herë edhe injorante – të mbetem konsistent në këtë angazhim. Përkthyer në terma politikë, angazhimi im ka qenë i lidhur me ndërtimin e politikave komplementare me interesat e qytetarëve tanë, veçmas të atyre shqiptarë, pa importuar diçka nga kushdo qoftë, duke e njohur dhe respektuar identitetin autokton kulturor, etnik e etik të qytetarëve shqiptarë në RMV, por edhe duke mos lejuar paternalizëm nga asnjë qendër politike kombëtare, rajonale ose ndërkombëtare – bashkërenditje me secilin mbi parimin e korrektësisë, por jo edhe nënrenditje. Gjatë këtyre viteve jam munduar që këto parime të treten në krejt angazhimin tim politik, në ligjërimin politik, në eksponentët që i kemi promovuar, në politikat që i kemi artikuluar, por edhe në projektet që i kemi realizuar. Përkushtimi im ka qenë që kjo prirje e imja të lexohet në të gjitha dimensionet e veprimtarisë sonë politike.
Në këtë frymë, mund të jem i qetë që një identitet i margjinalizuar për vite të tëra, për shkak të paragjykimeve dhe stereotipave të së kaluarës, tashmë ka gjetur shtrat politik dhe kjo vërtet më bën krenar.
Gjatë kësaj kohe, kur tashmë i kam kaluar 11 vjet aktivizëm politik organizativ, më duhet të konstatoj se – i prirë nga parimet e sipërpërmendura – në këtë karrierë politike vetëm 11 muaj kam qenë në detyrë përfaqësuese në institucionet shtetërore, si deputet në Kuvendin Republikan, andaj shpirtërisht jam i qetë që këtë betejë e kam bërë jo duke e pasur në epiqendër mirëqenien time personale, por bindjen time intelektuale për organizimin e jetës publike.
Nëse do të kem ymër dhe shëndet, do të doja që për disa nga këto gjëra të shkruaj dhe të mbetet një regjistër që mund t’i shërbejë dikujt, ndërsa nëse nuk do të kem mundësi, uroj që dikush të shkruajë dhe ta vlerësojë objektivisht këtë angazhim.
* * *
Megjithëse shumëkush në këtë kohë më ka sugjeruar se tash, kur janë bërë këto fitore, është çasti për ta korrur suksesin, mbase edhe për ta shijuar pushtetin, unë kam vendosur ta marr këtë vendim duke dashur të jem krejt i çliruar nga mundësitë që i ofron pushteti. Më mjafton kënaqësia nga ajo që e kam bërë dhe nuk kam nevojë për asgjë që e ofron pushteti. Zaten, asnjë pushtet nuk mund të më ofrojë më shumë liri, ndërsa gjithçka që mund të më ofrojë secili pushtet është më pak se liria që e dua dhe për të cilën jam angazhuar dhe angazhohem.
* * *
Gjatë këtyre viteve jam munduar të jem sa më pranë njerëzve, t’i dëgjoj dhe të dëgjohem, por jo gjithnjë kam arritur t’i përmbush kërkesat e tyre. Megjithatë, edhe kur kam mundur edhe kur nuk kam mundur ta plotësoj një kërkesë a një pritje, jam përpjekur të jem korrekt dhe të shpjegohem, gjithë kjo me dëshirën që të mos i mbetem borxh askujt ose të mos mendojë dikush se një punë nuk është kryer për shkak të indiferencës sime. Natyrisht, për këtë nuk ia kam dalë gjithnjë me sukses, sepse askush nga ne, sado që mund të ketë pushtet, nuk mund t’i zgjidhë të gjitha kërkesat dhe, sigurisht, kjo nuk është gjithnjë e verifikueshme, sepse ka qenë dhe është peshore në ndërgjegjen time, ndërsa për këtë nuk ka matje empirike.
* * *
Në këtë 11-vjeçar të angazhimit tim politik kam përjetuar shumë gëzime, kam marrë mijëra falënderime e përgëzime, por kam ndjerë edhe mijëra sharje e ofendime. Duke e përmbyllur këtë kapitull, dua t’ju them “faleminderit” për mirënjohjet të gjithëve, ndërsa ofenduesve dhe fyesve u them se ua kam falur krejt. Mundësinë që Zoti ua ka dhënë për të heshtur ose për të folur mirë disa e kanë përdorur gabimisht, andaj le të kërkojnë falje nga Zoti. Nga unë e kanë të falur të gjithë, pa përjashtim.
Me këtë rast dua t’i kërkoj falje edhe unë secilit që ndonjëherë mund ta kem lënduar për shkak të oponencës politike. Ndonëse jam munduar të jem i kujdesshëm që të mos e lëndoj askënd, nëse ndonjëherë dikë e kam bërë të ndjehet keq, në kuptimin personal, i kërkoj falje publike. Unë nuk kam asnjë armik, ndonëse mund të kem pasur kundërshtarë politikë. Me kundërshtarët kemi dallime ideologjike, politike e etike, por ata nuk janë armiqtë e mi dhe unë nuk ushqej urrejtje dhe animozitet për askënd.
Në këtë dorëheqje dëshiroj t’i falënderoj nga zemra në veçanti miqtë e mi të zemrës, të cilët e dinë se për kë e kam fjalën, por edhe të gjithë të tjerët në organet partiake të Alternativës dhe të VLEN-it, që e kanë vlerësuar punën time dhe kanë besuar tek unë. E falënderoj edhe familjen time, vëllezërit e mi dhe familjet e tyre që më kanë mbështetur dhe besuar pa asnjë hezitim. Në veçanti i kërkoj hallallëk publik nënës sime, që në këto vite kaq pak kam mundur t’i qëndroj pranë dhe e cila ka qenë gjithnjë e brengosur për fatin tim. Po ashtu i kërkoj falje bashkëshortes sime, Shehides, e cila ka pasur mirëkuptim për angazhimin tim dhe e cila ka qenë më së shumti e ekspozuar (mbase, edhe e lënduar) ndaj sulmeve që më janë bërë gjatë këtyre viteve.
* * *
Jeta është e gjatë dhe unë nuk di sa do të jetoj. Kam disa projekte të papërfunduara në punën time shkencore, mund të bëj ndonjë libër me reportazhe, ndonjë vepër artistike ose t’i botoj edhe shkrimet e mia politike. Ndërkohë, do të jem në shërbim të partisë Alternativa sot ose të VLEN-it nesër në detyrat që mund të më besohen në prapaskenë. Nëse më jepet detyra, jam në shërbim të edukimit politik të të rinjve dhe të rejave që mund ta kenë me vlerë përvojën time politike, gjithnjë nëse dikujt i shërben dhe i duhet ajo përvojë.
Le të jetë Zoti gjykatësi im dhe historia dëshmitarja e punës sime!
Pa pretenduar të krahasohem, po e përfundoj këtë dorëheqje me atë që profeti Muhamed e përfundoi fjalimin e tij lamtumirës: “O Zot, dëshmo! O Zot, dëshmo! O Zot, dëshmo!”.
Shkup, 8 dhjetor 2025
Zeqirija Ibrahimi

The post Zeqirija Ibrahimi jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të Alternativës appeared first on Alsat.