Gazetare: Fatlume Dervishi

Kryeministri Hristijan Mickoski përjashtoi mundësinë për zgjedhje të parakohshme në vitin 2026 por jo edhe në vitin 2027. Ai këtë qëndrim e tha në pyetjen për të sqaruar deklaratën e një dite më parë, pasi tha se së shpejti do të ketë zgjedhje dhe Filipçe e ato që mendojnë si ai do të margjinalizohen dhe zhduken nga politika.

“Ka disa parti që u frikësuan nga ajo deklaratë e imja. Por, qëndrimin tim e dini. Nuk do të ketë zgjedhje këtë vit, ky është një vit reformash dhe konsolidimi. Do të doja të kisha zgjedhje të rregullta në pranverën e vitit 2028. A është viti 2027 një mundësi? Ju e dini që VMRO-DPMNE është gjithmonë e gatshme të shkojë në zgjedhje dhe të fitojë, por fokusi ynë është të zbatojmë reforma dhe të rrisim fuqinë ekonomike dhe standardin e qytetarëve”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

LSDM-ja thotë se kryeministri flet për zgjedhje tani që nuk ka rrugëdalje tjetër.

“Ajo që LSDM ka thënë prej kohësh po konfirmohet, Mickoski nxiton për zgjedhje të parakohshme. Me rënien e mikut të tij Viktor Orban, po fillon shembja e rrjetit kriminal që ata kanë ndërtuar në rajon prej vitesh. Në Hungari tashmë po njoftohen hetime që do të arrijnë te Mickoski dhe “vëllai i tij i madh” Vuçiç. Politikat e tij amatoreske kanë dështuar plotësisht. Koalicioni i tij po shpërbëhet, deputetët po e lënë shumicën të zhgënjyer. Dhe kur nuk ka rezultate, kur nuk ka para dhe kur nuk ka zgjidhje – sulmoni opozitën dhe krijoni tensione, kjo është receta e Mickoskit”, tha Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, LSDM.

LSDM-ja dhe BDI-ja u shprehën të gatshëm për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga VLEN thanë se shumica parlamentare është stabile dhe fokusi duhet të jetë te realizimi i politikave që përmirësojnë standardin e qytetarëve./Alsat.mk.

The post Zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë këtë vit por kryeministri Mickoski nuk përjashton vitin 2027 appeared first on Alsat.