Zgjedhjet lokale po afrohen, ndërsa emrat e kandidatëve të VLEN-it dhe FE-së dalëngadalë po bëhen të ditur.
Në Çair pritet një përballje mes Izet Mexhitit dhe Bujar Osmanit, ndonëse zyrtarisht ende nuk janë shpallur si kandidatë.
“Në lidhje me kandidatët ne deri tani si VLEN jemi të prerë vetëm për Strugën, ku po e mbështesim kandidatin e pavarur Mendi Qyra, po presim rezultate nga anketat, Agjenci profesionale ku do të na japin orientim, sepse si VLEN jemi fokusuar t’i japim më të mirët më të kualifikuarit, kandidatët për kryetar në secilën komunë që do e vërtetojnë fitoren e madhe në vlen”, tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.
Në Saraj VLEN me gjasa do të garojë me Orhan Murtezanin, ndërsa për kundërkandidat pritet ta ketë Blerand Ramadanin nga ASH e Taravarit.
“Jemi drejt përmbylljes së marrëveshjes me partitë opozitare shqiptare. Shumë shpejt do të shpallen kandidatët për kryetarë komunash. Ky bashkëpunim ka për qëllim fitoren në komunat shqiptare në nivel republikan si hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të çështjes kombëtare shqiptare!”, thonë nga ASH-Taravari.
Në Likovë brenda VLENIT por diskutojnë për emra si Iljasa Abazi (AAA), Mustafa Veseli (LD), por edhe Arben Fetai (ASH). BDI do të garojë sërish me Erkan Arifin.
Në Tetovë VLEN do të garojë me kryetari Bilall Kasamin, ndërsa FE me shumë gjasa do ta nxjerr Bajram Rexhepin e BDI-së. Në Gostivar VLEN pritet ta mbështesë ekonomistin Visar Ademi i cili për kundër kandidatë me gjasa do ta ketë Valbon Limanin e ASH Taravari. Në Kërçovë tashmë kemi kandidat të pavarur, Shkodran Alili. Atje BDI mund ta kandidojë sërish Fatmir Deharin, ndërsa VLEN Fatmir Limanin.
Në Strugë VLEN zyrtarisht e mbështet kandidatin e pavarur Mendi Qyra, ndërsa FE do të garojë me Ziadin Selës. Në Zhelinë pritet të ketë përballje mes Blerim Sejdiut dhe Emir Sulejmanit.
