Gazetar: Miki Trajkovski

Një nga problemet kryesore me të cilat përballet Komuna e Mavrovë–Rostushës është ai i furnizimit me ujë. Kandidati për kryetar komune nga VMRO-DPMNE-ja, Oner Jakuposki, thotë se në disa vendbanime ekziston problem serioz dhe real, dhe se për këtë në programin e tij janë paraparë projekte konkrete.

“Situata në fshatin Leunovë në aspektin e furnizimit me ujë është alarmante. Në Rostushë tashmë po e zgjidhim problemin me ndërtimin e edhe një rezervuari ndihmës për furnizim me ujë. Kjo procedurë tashmë është në fazën e futjes në punë të operatorit që do t’i realizojë këto punime ndërtimore. Prandaj, vlerësojmë se me ndihmën e Ministrisë së Mjedisit Jetësor si ministri kompetente dhe së bashku me Ministrinë e Transportit do t’i përmirësojmë kushtet dhe furnizimin me ujë edhe në vendbanimet e tjera ku realisht ka nevojë”, tha Oner Jakuposki – kandidat për kryetar të Komunës së Mavrovë–Rostushës nga radhët e VMRO-DPMNE-së.

Kandidati për kryetar komune nga radhët e LSDM-së, Anes Ahmeti thotë se Komuna e Mavrovë-Rostushës, ndonëse është e pasur me një numër të madh rrjedhash ujore dhe me ujë të pijshëm, vendbanimet po përballen me probleme në furnizimin me ujë për shkak të amortizimit të sistemeve të ujësjellësit. Ai paralajmëroi hapa konkretë për zgjidhjen e këtij problemi.

“Në programin tonë kemi paraparë rikonstruksion dhe ndërtim të plotë të rrjeteve të ujësjellësit në të gjitha vendbanimet ku ka nevojë për këtë, duke përfshirë rikonstruksionin e burimit të Beliçkës, si dhe pjesërisht rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Skudrinë. Gjatë vitit të kaluar e rikonstruktuam rrjetin e ujësjellësit në fshatin Zhirovnicë. Do të thotë, ne do të investojmë në mënyrë të vazhdueshme në këtë infrastrukturë, me qëllim të furnizimit të qëndrueshëm të popullatës vendore”, u shpreh Anes Ahmeti, kandidat për kryetar komune nga radhët e LSDM-së për Komunën e Mavrovë-Rostushës.

Zgjedhjet lokale për zgjedhjen e kryetarit të Komunës së Mavrovë-Rostushës do të mbahen më 11 janar, për shkak të mosarritjes së censusit në zgjedhjet e rregullta të 19 tetorit. / Alsat.mk

The post Zgjedhjet në Mavrovë-Rostushë – Kandidatët premtojnë zgjidhje për ujin e pijshëm appeared first on Alsat.