Gazetar: Suad Bajrami
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 80 vota “për” dje pasdite miratoi Ligjin për Institucionet e Arsimit të Mesëm të Bashkësive Fetare, me të cilin nxënësve të shkollave fetare u lejohet të japin testin e maturës dhe të regjistrohen nëpër universitetet shtetërore, shkruan Alsat.
Votimi u mbështet edhe nga deputetët e Frontit Evropian të cilët votuan edhe në raundin me badenter.
Kjo zgjidhje ligjore vjen pasi më 30 prill të këtij viti Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e Qeverisë së kryeministri teknik Talat Xhaferi, me të cilin Medreseja Isa Beu mori statusin e shkollës së mesme private – gjimnaz.
Sipas kushtetueses, vendimi i Xhaferit kishte qenë antikushtetues dhe antiligjor dhe me të njëjtin është shkelur parimi i sekularitetit të shtetit.
Ligji që kaloi në kuvend tejkalon problemin shumëvjeçar të medresantëve të cilët nuk mundeshin të vazhdonin shkollimin e lartë në universitetet shtetërore.
Korniza, sipas shumicës parlamentare është bërë në përputhje me Kushtetutën, ligjin për Arsim të Mesëm si dhe Ligjin për Statusin Juridik të Kishës, Bashkësisë Fetare Islame dhe Grupit Fetar në vend.
Byroja për Zhvillimin e Arsimit do të jetë ombrella e përputhshmërisë së planprogrameve të këtyre shkollave fetare, konkretisht shkollës Teologjike Ortodokse Maqedonase “Shën Klimenti i Ohrit” Shkup dhe Shkollës së Mesme Islame “Medreseja Isa Beu” – Shkup.
Planprogramet e këtyre shkollave do të përputhen me Konceptin për maturën shtetërore, Maturën shkollore dhe Provimin përfundimtar të miratuar nga Ministria e Arsimit.
Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, në rrjetin social Facebook theksoi që me votimin e këtij ligji, i jepet fund sagës shumëvjeçare të medresantëve, mundi i të cilëve nuk njihej, dija e të cilëve nuk vlerësohej, përpjekja e të cilëve nuk shpërblehej.
Duke falënderuar Qeverinë, Bashkësia Fetare Islame theksoi se me votimin e ligjin, nxënësit e Medresesë tash e tutje do të jenë të barabartë me nxënësit e të gjitha shkollave tjera në vend.
“Me këtë, Medreseja “Isa Beu” në Shkup akreditohet dhe barazohet me të gjitha shkollat e mesme në vend, dhe diplomat e nxënësve dhe nxënëseve të kësaj shkolle tashmë pranohen zyrtarisht. Bashkësia Fetare Islame i uron përzemërsisht të gjithë besimtarët dhe qytetarët, në veçanti drejtuesinë e Medresesë “Isa Beu”, drejtorin dhe stafin edukativo-arsimor”.
Kjo çështje ka qenë ndër vite temë debati e polemikash në ambientin politik të vendit. BDI-ja me 22 vite në pushtet nuk arriti të miratojë kornizë ligjore në përputhje me Kushtetutën edhe pse vazhdimisht lavdërohej se po e zgjidh statusin e medresantëve. Në vend ndryshimeve ligjore, zgjidhjen për Medresenë BDI e bëri nëpërmjet një vendimi qeveritar derisa Talat Xhaferi ishte kryeministër teknik. Por, në fund ky vendim u rrëzua nga Kushtetuesja, nën arsyetimin se nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Arsim të Mesëm.
BDI, këtë vendim e quajti politik. Bujar Osmani, akuzonte se qëllimi i Qeverisë është që të anulohen të gjitha të drejtat e fituara dhe në fund të mos ketë zgjidhje ligjore në Kuvend./ Alsat.mk
The post Zgjidhet statusi i medresantëve/ Kuvendi me 80 vota për miratoi ligjin për shkollat e mesme fetare appeared first on Alsat.
