Të gjithë automjetet që kalojnë në të gjelbër dhe marrin dënime nga “Safe City” në udhëkryqin në “Ilinden” të Tetovës, mund paraqiten në SPB Tetovë për rishikim të  dënimit.

“Qytetarët që mbesin në udhëkryq pasi kanë hyrë me dritë jeshile nuk duhet të ndëshkohen. Nëse, megjithatë, u shqiptohet ndonjë dënim, ata duhet të drejtohen në SPB Tetovë që rasti të shqyrtohet”, tha Muhmaed Ademi – Komandat – SPB Tetovë.

Për të zgjidhur këtë problem, Komuna e Tetovës ka vendosur që të zëvendësojë të gjithë semaforët në këtë udhëkryq me pajisje të reja dhe moderne. Është hapur tenderi dhe është zgjedhur kompania që do të vendos semafor të rinj në të gjithë qytetin.

“Veçmë kemi përzgjedhur kompaninë që do të realizojë instalimin e semaforëve të rinj dhe heqjen e atyre ekzistues. Të gjitha kryqëzimet do të pajisen me semaforë modernë dhe njëkohësisht do të zgjidhet edhe problematika e paraqitur në afërsi të Shkollës së Mjekësisë”, theksoi Bilall Kasami – kryetar i komunës së Tetovës.

Kasami po ashtu tha se është e papranueshme që shenjat paralajmëruese për kamerat janë vendosur vetëm në gjuhën maqedonase dhe ka kërkuar që të zëvendësohen dhe të vendosen në dy gjuhë, përfshirë  autostradën e korridorit 8 në territorin e komunës së Tetovës.