Derisa Tetova ka 12 vjet që pret të mbyllet projekti i Bibliotekës dhe Teatrit, Kamjani i Bogovinës ka 9 vjet që qendrën për kulturë e ka ende në shtylla, Komuna e Zhelinës është drejt përfundimit të Qendrës për Kulturë. Kryetari Blerim Sejdiu pret që punët të përfundojnë në mars.
“Ndërtimi ka zgjatur tre vite, për arsye jo se është punuar në mënyrë permanente por sepse është përfunduar njëra fazë dhe është dashur që kohë që të gjejmë mjete për fazën e dytë. Tani jemi duke përfunduar, unë jam i gëzuar që jemi duke e përfunduar atë projekt sepse ka raste kur kanë ngecur me dekada projektet tjera por nuk është një rast i tillë tek ne. Projekti ka kushtuar afërsisht 600 mijë euro”, deklaroi Blerim Sejdiu – kryetar i Komunës së Zhelinës.
Me të përfunduar tërësisht, Komuna e Zhelinës do të bëjë kërkesë në Ministri të Kulturës që pallati i kulturës të jetë i karakterit nacional e jo vetëm lokal, me çka do të siguroheshin fonde për mirëmbajte dhe funksionim të vazhdueshëm.
“Ideja dhe qëllimi ynë është që këtë pallat kulture ta shpallim me status nacional. Pra që të jetë pallat i kulturës nacional që të financohet, që nënkuptohet të financohet nga burimet e buxhetit shtetëror dhe jo nga Komuna. Me këtë ne të gjejmë resurse të vazhdueshme dhe të përhershme të mirëmbajtes dhe funksionimit të këtij pallati të kulturës”, tha kryetar i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.
Faza e parë e ndërtimit ka kushtuar 350 mijë euro, mjete nga TAV Maqedoni. Faza e dytë thuajse në të njëjtën shumë është financuar me mjete nga kredia hungareze përmes Ministrisë së Kulturës.
